Hetimet për gjyqtarë fillojnë në tetor

Hetimet për gjyqtarë fillojnë në tetor

Prokuroritë e vendit do të kenë mundësinë që të hetojnë dosjet e dhjetëra gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk u rizgjodhën në pozitat të cilat i kanë mbajtur deri më tani, shkruan në numrin e sotshëm “Kosova Sot” .

Dhjetëra prokurorë dhe gjyqtarë do të mund të jenë pjesë e një hetimi, i cili do të mund të fillojë në fillim të tetorit atëherë kur pritet që organi i cili është marrë me të kaluarën e gjyqtarëve, Komisioni i pavarur gjyqësor dhe prokurorial t’i dorëzojë dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Edhe pse zyrtarët kompetentë ende nuk i dinë shkaqet se pse disa prej këtyre zyrtarëve nuk janë rekomanduar për t’u rizgjedhur, ata premtojnë që në fund të procesit të riemërimit prokurorët do të kenë qasje në dosjet e secilit prej gjyqtarëve, të cilët nuk janë riemëruar.

Sipas “Kosova Sot”, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, pranon faktin se Këshilli nuk i di arsyet se pse disa gjyqtarë nuk janë propozuar për t’u zgjedhur nga ana e Komisionit të pavarur gjyqësor dhe prokurorial. Peci thotë se organi të cilin ai e drejton i ka në dorë vetëm dosjet e atyre të cilët janë rekomanduar për t’u zgjedhur, përderisa pret që në fund të procesit dosjet e atyre që nuk janë përzgjedhur t’i dorëzohen këshillit.

Është e vërtetë se nuk kemi njohur, por dosjet e secilit kandidat ekzistojnë. Ne i kemi marrë për kandidatët të cilët janë rekomanduar për t’u zgjedhur, përderisa për dosjet e tjera nuk kemi pasur qasje. Me përfundimin e procesit ato do të bartën në KGJK dhe do të kemi qasje”, thotë kryesuesi Peci. Ai beson se në këto dosje do të ketë bazë për hetime.

Besoj që organet e prokurorisë në këtë rast të kërkojnë ndonjë hetim ndonjë bartësi nëse dyshohet për ndonjë vepër penale do të gjejmë mekanizmin për të vepruar në këto raste”, thotë kryesuesi Peci. Mirëpo, sipas tij, i tërë procesi i riemërimit pritet të përfundojë nga fundi i shtatorit kur edhe pritet që komisioni t’i dorëzojë lëndët në KGJK.