Haxhinasto:Të vendosim linja ajrore me të gjitha shtetet e Rajonit

Haxhinasto:Të vendosim linja ajrore me të gjitha shtetet e Rajonit

Haxhinasto:Të vendosim linja ajrore me të gjitha shtetet e RajonitMinistrat e Transportit të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë u angazhuan të hënën në Tiranë për të rritur bashkëpunimin mes tyre për integrimin e infrastrukturës, si rruga më e mirë për integrimin europian të këtyre vendeve.

Ministri shqiptar i Transportit, Edmond Haxhinasto, theksoi në fjalën e tij se shkëmbimi i ideve dhe identifikimi i fushave të bashkëpunimit dhe gjetja e zgjidhjeve për disa çështje që lidhen me trasportin dhe infrastrukturën në rajon i shërben zhvillimit të vendeve.

Bashkëpunimi me Bashkimin Europian, tha ai, i shërben koordinimit më të mirë të konceptimit të projekteve strategjik, të cilat kanë impakt përtej kufinjve kombëtarë, ashtu si në standardizimin e infrastrukturës, veçanërisht kur kjo infrastrutkurë kalon kufinjtë kombëtarë.

Sipas tij, duhet të koordinohemi më mirë në ato fusha ku kemi infrastrukturë të munguar, në lidhjet midis shteteve tona, konkretisht lidhja hekurudhore me Kosovën e Maqedoninë.

Ministri Haxhinasto u ndal në disa nga projektet startegjike që po zhvillon Shqipëria në sektorin e infrastrukturës. Ai informoi se prioritet i është dhënë investimeve në dy korridoret kryesore, korridorin 8 dhe 10. Në korridorin 8, informoi ai, po investohet në dy pjesët kryesore të tij, në segmentin Tiranë-Elbasan, i cili pritet të përfundojë brenda këtij viti dhe Qukës-Qafë Plloçë, që nis zbatimin në mesin e vitit.

Si artiere kryesore për integrimin rajonal, ministri Haxhinasto përmendi edhe rrugën e Arbrit që lidh Tiranën me Shkupin. Ai propozoi që kjo rrugë të bëhet pjesë e rrjetit rajonal, nëpërmjet bashkëpunimit në projektin e ardhshëm të BE-së, që nis këtë vit.

Duke folur p[r ecurinë e korridorit 8, ministri Haxhinasto u shpreh se duhet të punohet me seriozitet në lidhje me pikëpamjen hekurudhore të Korridorit të 8-të.

Ai kërkoi edhe mbështetjen e vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në këtë tavolinë, që të vendoset një komisioner i veçantë pranë Bashkimit Europian, i cili të ndihmojë për të realizuar mbështetjen e nevojshme për rritjen e vëmendjes ndaj një korridori hekurudhor.
Me Malin e Zi, tha Haxhinasto, po punojmë për vendosjen e një lidhjeje ujore.

Po ashtu, theksoi ai po investohet në portet kryesore të vendit për rritjen e kapaciteteve të tyre, ashtu si dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofrohen. Qeveria, tha Haxhinasto, parashikon ndërtimin e një porti të ri në Shëngjin, i cili do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës e më tej.

Në fushën e aviacionit civil, theksoi Haxhinasto, po punojmë për vendosjen në punë të Aeroportit të Kukësit, si dhe për ndërtimin e një porti turisitik në afërsi të Sarandës.
Ai evidentoi si mangësi, mungesën e lidhjes ajrore mes kryeqyteteve të vendeve të rajonit.

Kreu i transporteve, Haxhinasto u ndal edhe në bashkëpunimin për heqjen e barrierave jofizike, që janë pikat e shumta kufitare, kontrollet e zgjatura, kualifikimi jo i duhur i personelit, procedurat e panevojshme, praktikat korruptive dhe prezenca e panevojshme e agjencive doganore. “Të gjitha këto janë objekt i asaj se çfarë duhet të ndyshojmë së bashku dhe reduktimi i tyre ka vullnet politik.

Ajo që mbetet është zbatimi konkret i këtij vullneti politik”, deklaroi Haxhinasto. Sipas ministrit, Haxhinasto, adoptimi i legjislacionit komunitar dhe ndërhyrjet në infrastrukturën fizike, mbeten sfidë.