Hashim Thaçi: E ardhmja e Kosovës, BE-ja dhe NATO

Hashim Thaçi: E ardhmja e Kosovës, BE-ja dhe NATO

Hashim Thaçi, gjatë një konference shtypi në Institutin Amerikan të Paqes në Washington, tha se e ardhmja e Kosovës dhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kjo aspiratë, tha Thaçi, nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një domosdoshmëri për paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjate. Kosova, tha ai, do të jetë shembull i tolerancës dhe një shoqërie shumetnike për të gjithë Evropën.

Kryeministri i Kosovës e pranoi se një prej fushave më të vështira për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë shteti juridik. Kjo, tha ai, nuk vjen thjesht nga fakti se në veri të Kosovës ende funksionojnë strukturat e paligjshme të sigurimit, që financohen nga Serbia, por edhe se rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk janë të kënaqshme.

Me qëllim që të kapërcejmë këtë situatë, kryeministri Thaçi tha se qeveria e Kosovës po bashkëpunon nga afër me EULEX-in dhe mekanizmat ndërkombëtare në Kosovë.

Thaçi, i cili të enjten do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, përsëriti se Kosova është një shtet shumetnik me kushtetutë dhe ligje që mbrojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë. Fatkeqësisht, tha ai, integrimi i plotë i serbëve, që jetojnë në veri të lumit Ibër, është penguar nga roli destruktiv i Serbisë.

Ai theksoi angazhimin e qeverisë së tij për vazhdimin e integrimit të serbëve në atë rajon, sepse qytetarët që jetojnë aty duan të kenë të njëjtat përgjegjësi dhe të jetojnë në të njëjtën mënyrë si serbët e tjerë, që jetojnë në jug të Ibrit.