Hashim Thaçi

Hashim Thaçi: Çdo shtet e ka nga një Mitrovicë

 Hashim ThaçiKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për takimin e mbrëmshëm me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, ka thënë se është një fillim i mirë. Ai ka thënë se çdo shtet e ka nga një Mitrovicë ose pjesë problematike të vendit. Tërësia territoriale e Kosovës, sipas tij, është e njohur dhe e garantuar ndërkombëtarisht.

Thaçi ka thënë se marrëveshja e mbrëmshme për doganat, është një arritje e re e shtetit të Kosovës. Me këtë marrëveshje, sipas tij, Serbia de jure e njeh Kosovën.“Serbia de fakto dhe de jure ka filluar ta njohë Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ëndrra e Serbisë për ndarje të Kosovës, sipas tij, është shuar me 25 korrik të vitit 2011.

“Në veri më në fund duhet të ketë rend dhe ligj, duhet të ketë gjykata, duhet të mbahen zgjedhje të lira dhe autoritetet e Kosovës të shtrijnë funksionin në të gjithë territorin e vendit”, ka shtuar kryeministri.

Ai edhe njëherë ka përsëritur se Rezoluta e Serbisë është e pa vlerë për Kosovën dhe është vetëm për konsum të brendshëm, si dhe ka shtuar se strukturat paralele që kanë kryer krime do të dëbohen dhe ata që kanë bërë krime do të dënohen.

Duke folur për problemin e përmendores së UÇPMB-së, Thaçi ka thënë se beson në vendimet e urta dhe të drejta të liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.

“Qeveria e Kosovës do të mbështet avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon. Kemi biseduar me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës se shqiptarët e Luginës do të bëhen me Universitet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, duke folur për shpërthimin e mbrëmshëm të veturave zyrtare, kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se këto sulme janë kundër shtetit të Kosovës.