Hashim Thaçi: 82,000 punëtorë përfitojnë nga rritja e pagave

Hashim Thaçi: 82,000 punëtorë përfitojnë nga rritja e pagave

Hashim Thaçi: 82,000 punëtorë përfitojnë nga rritja e pagaveRreth 82 mijë punëtorë nga prilli i këtij viti do t’i marrin pagat me rritje. Vendimi për këtë tashmë është drejt finalizimit dhe pritet që më së largu të hënën e ardhshme të miratohet nga Qeveria e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar, sipas të cilit, nga kjo rritje do të përfitojnë të gjitha kategoritë e punëtorëve.

Javën e kaluar ishte ngarkuar ministri i Financave që të përgatis vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e punëtorëve, por ai vendim ende nuk është finalizuar. Kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi tha se vendimi është në finalizim e sipër. Kryeministri Thaçi tha se rritja e pagave do të përfshijë 82 mijë punëtorë kosovarë të të gjitha kategorive.

“Kjo rritje do të përfshijë infermierët, mjekët, policët, profesorët universitarë, mësuesit, zjarrfikësit, punëtorët e administratës, shërbyesit civilë, gardianët, prokurorët, gjykatësit, doganierët, inspektorët tatimor, të gjithë pjesëtarët e FSK-së, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, veteranët, minatorët, gjithashtu edhe pensionistët kontributdhënës”, u shpreh Thaçi.

E kjo rritje, sipas kryeministrit Thaçi nuk do të përfundojnë me kaq, por do të përfshijnë edhe kategori të tjera, ndërsa vendimi do të merret shumë shpejt.

“Kjo rritje do t’i përfshijë edhe institutet shkencore, duke përfshirë edhe Institutin Albanologjik, edhe Institutin e Historisë. Pra të gjitha kategoritë. Vendimi pritet të merret nesër, më së largu të hënën”, u shpreh Thaçi.

Kreu i qeverisë tha se për të gjitha këto kategori rritja e pagave ka ndodhur në vazhdimësi nga viti 2007 deri në vitin 2013, duke arritur tek disa kategori dhe mbi 100 për qind kjo rritje.

Ndërkohë, kabineti qeveritar miratoi vendimin për t’i rekomanduar presidentes për autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes për kredi eksportuese ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit bank Austria, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit të edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”. Kjo kredi ka vlerën 4.5 milionë euro.