seminari-copy_1908111023_1

Harta e monumenteve të Sinan Pashës shtrihet në tri kontinente

Ai që konsiderohet themelues i qytetit të Kaçanikut të Kosovës famën nuk e ka vetëm për këtë punë. Për monumentet e Sinan Pashës – njërit prej figurave qendrore të historisë së Perandorisë Osmane të shekullit XVI – ka folur të enjten profesori i Universitetit Al Bajt të Jordanit, Muhamed Mufaka.

Anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka mbajtur ligjëratë në ditën e katërt të punimeve të Seminarit të 30-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Mufaka ka më shumë se 20 vjet që merret me veprat e Sinan Pashës. Në këtë punë natyrisht nuk është i vetmi, e thotë se lirisht studimi mbi veprimtarinë e këtij pashai mund të kthehet në “sinanologji”. Ende mbetet i hapur debati se prej nga e ka prejardhjen personi i dytë në hierarkinë e Perandorisë Osmane, i vetmi që e fitoi këtë pozitë për pesë herë radhazi gjatë shekullit XVI. Profesori i orientalistikës Mehdi Polisi thotë se ai ka prejardhje nga Kosova, ndërsa në “Enciklopedinë Islame” për të thuhet se ka lindur në Delvinë ose Dibër të Shqipërisë.

Harta e monumenteve të Sinan Pashës, ka thënë Mufaka, shtrihet në kontinentet e Evropës, Azisë dhe Afrikës. Por në Prishtinë, kësaj here ai ka sjellë vetëm veprat e tij në vendet arabe.

Mufaka ka treguar se në Kajro Sinan Pasha kujtohet edhe sot e kësaj dite në saje të Xhamisë që u ndërtua në vitin 1571.

“Ajo ka një vlerë të lartë arkitektonike dhe historike, sepse ishte xhamia e parë e stilit osman që ndërtohet në Kajro”, ka thënë Mufaka. Kjo afirmoi edhe “rrugën” që ende mban emrin Sinan Pasha. Aty do të ndërtoheshin edhe një hamam, tri hane dhe një kafene. Kjo e fundit, duke qenë risi e kohës në këtë qytet, i sillte përfitime “vakëfit” të Pashait, mjetet nga i cili më pas i shfrytëzonte për ndërtime të reja. Ishte pikërisht ky pasha që i dha jetë institucionit të vakëfit apo bamirësisë.

Në Aleksandri, Sinan Pasha do të ndërtonte diçka tjetër. Por një shkollë për fëmijë dhe një medrese e ciklit të lartë, nuk do të mund t’i rezistonin kohës, në qytetin e dëshiruar nga pushtues në shekujt e mëpasmë. Por Mufaka thotë se ka identifikuar gërmadhat e të dy objekteve në këtë qytet liman.

Deri atëherë, Kutafja, që shtrihet përgjatë rrugës për në haxh, deri atëherë ishte vetëm një fshat i vogël. I gjendur në mes të Humsit e Damaskut, Sinan Pasha hetoi rëndësinë e pozitës së tij, për të ndërtuar kështu, sipas Mufakës, një kompleks urbanistik me hamam, karvan saraj, e dyqane, për të krijuar bërthamën e atij që do të shndërrohej më pas në qytet.

“Tregu i Sinan Pashës në Damask sot tërheq shumë turistë”, ka thënë Mufaka. Në këtë qytet që konsiderohej pikënisja e “karvanit të haxhit”, sipas tij, Pashai ndërtoi një kompleks të madh urbanistik – që përveç tregut të mbuluar me harqe me 74 dyqane e 34 dhoma sipër tyre – përthekohet edhe nga një xhami e madhe, hamame e medrese.

“Edhe Sa’Sa një qytet që shtrihet 40 km në jugperëndim të Damaskut, në rrugën për në Jerusalem, e që bashkohet më tutje me rrugën e haxhit njeh si themelues Sinan Pashën”, ka thënë Mufaka. Ai ka treguar se Sinan Pasha njëjtë ka vepruar edhe në themelimin e “Han al-Tuxhxhar” (Hani i tregtarëve).

Safadi ishte prej qyteteve të pakta që gjendeshin në Palestinë, në prag të pushtimit osman më 1516. Çifutët e ardhur aty nga Spanja, me vete kishin sjellë edhe tekniken e re për prodhimin e leshit.

“Aty Sinan Pasha, në kuadër të vakëfit, ndërtoi disa mullinj për përpunimin e leshit dhe një treg të vogël me 20 dyqane në qendrën e saj”, ka thënë Mufaka.

Muhamed Mufaka ka treguar se Akra, qyteti që prej vitit 1948 i takon Izraelit, në vitin 1291 ishte bërë rrafsh me tokë nga Sulltani mamluk Ashraf Halil. Këtë e kishte bërë në mënyrë që ai të mos shfrytëzohet përsëri si bazë për kryqëzatat.

“Me kompleksin urbanistik që e ndërtoi Sinan Pasha – xhami, medrese, hamam, furrë, han të madh me 80 lokale – u krijua një bazë e re për qytezën e cila u zhvillua së shpejti si qendër tregtare, pasi që u bë porta kryesore për Safad e Jerusalem”, ka thënë Mufaka.

Ndryshe, pasditen e së enjtes në sallën e Fakultetit Filologjik, janë mbajtur edhe gjashtë referime nga albanologë botërorë e të vendit.

Premysl Vins ka folur për “veprat çeke për shqiptarët – shek. XIX – XX”. Ai ka përmendur një mori veprash shqipe të përkthyera në gjuhën çeke. Ka referuar edhe albanologu slloven Drago Flis, i cili është ndalur te “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre në romanet e Blushit dhe të Krajës”.

“Shpjegimi i tij te fati historik i shqiptarëve, te vepra ‘Të jetosh në ishull’, është zhvilluar në kuadër të marrëdhënieve të shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre. Edhe feja është parë shpeshherë si ‘dhuratë’ e fqinjëve”, ka thënë Flis, teksa ka folur për shkrimtarin shqiptar Ben Blushi. E Mehmet Kraja, në sytë e Drago Flis, është përcaktuar me përvojat e tij me fqinjët serbë, por nuk i sheh ata në mënyrë idealistike siç e bënë Blushi.

“Kjo është arsyeja pse Kraja është shkrimtari kosovar shumë i preokupuar me ndodhitë e kohëve të fundit në Kosovë”, ka thënë Flis.

“Nuk është surprizë ajo letërsi shqipe që shpesh është quajtur ‘e vogël’ ose ‘regjionale’, ajo është e njohur për një rreth të caktuar të specialistëve dhe të studentëve të filozofive specifike. Për fat të keq shumica e teksteve të literaturës regjionale ka pasur të njëjtin fat. Ankesat për këtë nuk ndihmojnë”, ka nisur referimin e saj Katarzyna Taczyńska, teksa ka folur për Fatos Kongolin në temën që e ka titulluar “Në korridorin e zi të indiferencës – rrëfimet e një humbësi”.

Edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka ardhur në Seminarin e 30-të, përmes referimeve të albanologes polake Isabela Dobroa, që ka folur në anglisht për “Opusi letrar i Ismail Kadaresë dhe pranimi i tij në Poloni” dhe ajo italiane Giovanna Nanci, që ka folur për “Vërejtjet nga analiza traduktologjike e përkthimeve italisht të veprës ‘Kështjella’ të Kadaresë”.

Referimi i Albulena Blakajt ka shtruar pyetjen se “Prej kur vërehet fryma wertheriane në letërsinë shqipe?”. Në punimin e saj ajo ka krahasuar shkrimtarin e njohur gjerman Goethe dhe shqiptarin Stereo Spasse.