Haradinaj ndalohet në Hagë

Haradinaj ndalohet në Hagë

Ramush Haradinaj do të qëndrojë në paraburgim në Hagë, deri në rifillimin e procesit gjyqësor kundër të tij dhe dy të akuzuarve të tjerë.

Kështu ka vendosur trupi gjykues i Tribunalit të Hagë. “Ky është urdhri i trupit gjykues që të tre duhet të qëndrojnë në paraburgim, deri në kohën kur do të rinisë procesi gjyqësor”, tha Nerma Jelacic, zyrtare për media në Tribunalin e Hagës.

Ajo sqaroi për Express se nga 32 akuza me të cilat ngarkoheshin më parë Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ata do të rigjykohen për 6, ose nga dy për secilin.

“Nuk dihet se kur do të rifillojë procesi gjyqësor, pasi kjo varet nga urdhri i trupit gjykues. Por ata duhet të qëndrojnë nën arrest deri në atë kohë”, thotë Jelacic për Express, duke shpjeguar se janë një sërë formalitetesh që duhet të plotësohen, duke përfshirë edhe emërimin e anëtarëve të trupit gjykues.

Ndërkohë, Prokuroria e Tribunalit të Hagës nuk ka dashur të komentojë asgjë në lidhje me këtë vendim të trupit gjykues.

“Ne nuk kemi koment. Ky është vendimi që ka marrë trupi gjykues dhe nuk është vendim yni. Ju duhet të bisedoni me ta”, tha për Express, njëri nga zyrtarët për informim të Zyrës së Prokurorisë.

AAK e habitur me vendimin

Vendimi i Tribunalit të Hagës për rikthimin në gjykim të rastit “Haradinaj”, zyrtarët e AAK-së, partisë së Ramush Haradinaj, e kanë pritur të habitur dhe të brengosur.

“AAK-ja është e brengosur me vendimin e sotëm. Ne besojmë fuqishëm në pafajësinë dhe drejtësinë. Jemi të befasuar me këtë vendim duke marrë parasysh vendimin mëparshëm të gjykatës për lirimin e tij. Ekipi i mbrojtjes së z. Haradinaj do të punojë që ai të kthehet në atdhe”, thotë Besnik Tahiri, anëtar i kryesisë së AAK-së për Express.

Sipas zyrtarëve të kësaj partie, Michael O’Really, kryesues i ekipit të mbrojtjes së Haradinajt, do të lëshojë një komunikatë për media ku do të jepen detajet në lidhje me këtë çështje.

Rasti Haradinaj kthehet në rigjykim

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë ka urdhëruar që rasti i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të kthehet në rigjykim, dy vjet pasi ai u lirua, nga akuzat për vrasje, përdhunime dhe tortura.

Presidenti i gjykatës, Patrick Robinson, thotë se gjyqi origjinal i Haradinajt dhe dy ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u pengua nga frikësimi i dëshmitarëve, raporton AP.

Robinson tha të mërkurën se gjykata “dështoi të vlerësojë seriozitetin ” e kërcënimit.

Vetëm gjashtë nga 32 akuzat fillestare kundër “Haradinajt dhe të tjerëve” do t’i nënshtrohen rigjykimit, sipas vendimit të gjykatës.

Filloi seanca e apelit për rastin Haradinaj

Ka filluar në Hagë seanca ku do të jepet vendimi i apelit lidhur me rastin Haradinaj dhe të tjerët, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në prill të vitit 2008 Gjykata Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë vendosi se Ramush Haradinaj ishte i pafajshëm dhe u lirua nga të gjitha akuzat.

Prokuroria ka apeluar vendimin. Vendimi do të jepet sot. Momentalisht po flet përfaqësuesi i prokurorisë, i cili po thekson se dëshmitarët janë tërhequr për shkak të kërcënimeve.