Hapi i parë konkret
Pyetësori i dërguar nga Bashkimi Evropian për marrëdhënie tregtare, paraqet hapin e parë konkret të Kosovës drejti integrimit në BE. Ministri Lutfi Zharku thotë se kjo do t`u mundësojë biznesmenëve dhe industrialistëve kosovarë të eksportojnë në Evropë si gjithë evropianët e tjerë, pa iu nënshtruar barrierave tarifore.Kryeministri Hashim Thaçi, në takimin e parë të këtij takimi koordinues, tha se deri më 7 prill do të jenë gati të gjitha përgjigjet adekuate që parashtron ky pyetësor. Ministri Lutfi Zharku tha për Express se ky është një hap shumë i madh dhe serioz drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Në fakt, ky është hapi i parë konkret drejt këtyre integrimeve për shkak se është një pyetësor që na është dërguar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, gjë që s`ka ndodhur asnjëherë më parë”, tha ministri Zharku.
Ai tregoi se në këtë pyetësor parashtrohen pyetje për gjithë segmentet ekonomike të Kosovës. Në veçanti për doganat, tregtinë dhe aspektet e barrierave tarifore që aplikohen në vendin tonë. Pyetësori, tha Zharku, ka mbi 200 faqe, i cili, sipas tij, do të përfundojë diku rreth datës 7 prill.
“Para një jave e kemi marrë pyetësorin dhe deri më 7 prill do ta përfundojmë – që do të thotë para afatit që e kemi të caktuar”, tha ai. Pas plotësimit të pyetësorit, në rast të pranimit të këtij pyetësori nga BE-ja, Kosova do të ketë qasje të lirë ekonomike në shtetet e BE-së. Për biznesmenët, gjegjësisht industrialistët kosovarë dhe eksportuesit, kjo do të jetë shumë e favorshme për shkak të qasjes së lirë që do të kenë në tregun evropian.
Lutfi Zharku e cilësoi këtë si një shans shumë të mirë për Kosovën drejt integrimit evropian – andaj tha se janë jashtëzakonisht të përkushtuar ta kryejnë sa më mirë.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se do ta plotësojnë këtë pyetësor para afatit që u është caktuar. Ai deklaroi se angazhimi i Qeverisë në përmbushjen e obligimeve që dalin nga raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian do të jetë më serioz dhe më efikas.
“Integrimi në Bashkim Evropian, pos tregtisë, do të përcillet me qeverisje të mirë, efikase, luftë kundër korrupsionit, sundim të ligjit, lëvizje të lirë, punësim dhe infrastrukturë më të mirë “, tha Thaçi. Ai tha se së shpejti pritet që Kosova të marrë edhe udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave.
“Ne presim që së shpejti të marrim edhe udhërrëfyesin për liberalizmin vizave dhe ky do të jetë një proces i rëndësishëm për vendin. Ne kemi marrë disa masa dhe jemi duke punuar për reforma në të gjitha segmentet”, tha Thaçi.
Pyetësori i për marrëdhënie tregtare me BE-në përmban pyetje të ndara në 33 kapituj dhe përgjigjet e Qeverisë së Kosovës do t’i dërgohen Komisionit Evropian deri në mesin e prillit të këtij viti. Diku rreth stinës së verës pritet edhe të kthehen përgjigjet nga BE-ja. Bashkimi Evropian, edhe është formuar në saje të marrëveshjeve ndërshtetërore për tregti të lirë si qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve, pa u penguar nga doganat dhe pengesat e tjera. Më vonë në këtë treg do të mund të ketë qasje edhe Kosova./Express/