Halimi: Nuk jemi më vendstrehim i krimit të organizuar
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka deklaruar se tashmë Shqipëria ndodhet jashtë hartës problematike të krimit të organizuar.
I pranishëm në konferencën “Praktikat më të mira në drejtësinë kriminale”, ministri Halimi theksoi se Shqipëria nuk është më një vendstrehim për bandat dhe krimin e organizuar.
“Sot është një ditë ku gjyqtarët kanë të drejtë të krenohen për një kontribut historik që kanë dhënë në luftën kundër krimit të organizuar. Sot falë policisë shqiptare, vendi ynë nuk është më strehim për krimin e organizuar dhe bandave. Është detyrë e çdo qeverie që të hartoj paketa ligjore për të luftuar krimin e organizuar dhe të fitojë betejat me të”, ka thënë Halimi, raporton Noa.
Ai ka folur dhe për nismat që duhen ndërmarrë në mënyrë që aftësia parandaluese dhe ndëshkuese e institucioneve shqiptare të jetë më e madhe.