Gruevski: Deklaratat e Crvenkovskit për emrin janë dyfytyrëshe
Qëndrimet e liderit të opozitës maqedonase, Branko Crvenkovski, për çështjen e emrit dhe identitetit janë dyfytyrëshe. Kështu e ka komentuar kryeministri Nikola Gruevski, deklaratën e një dite më parë të Crvenkovskit, i cili tha se do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk do të cenojë identitetin nacional dhe që është i pranueshëm për Qeverinë.
“Bëhet fjalë për një deklaratë dyfytyrëshe, për shkak se ai saktë e din se Greqia një kohë të gjatë është betonuar në qëndrimin e saj që e prek edhe identitetin. Ajo që më shtyn ta them këtë fjalë është se i njëjti Cërvenkovski në vitin 2005, kur kishte një propozim nga Metju Nimici, në të cilin ishte vënë në pyetje identiteti, ai e pranoi atë propozim, ndërsa të njëjtin unë e refuzova”, tha Gruevski, raporton Alsat M.
Por ndaj deklaratës së Gruevskit, ka reaguar nga partia e Crvenkovskit. LSDM-ja i bën apel kryeministrit Gruevski që të ndërpresë instrumentalizimin dhe keqpërdorimin e kontestit të emrit për qëllime të politikës ditore. “Propozimi i ndërmjetësit Methju Nimic në vitin 2005 ishte shumë më i mirë se propozimi të cilin Gruevski e pranoi para samitit të NATO-s në Bukuresht (Republika e Maqedonisë-Shkupi)”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.