Gjuriç: Largimi i Jabllanoviç i gabuar

Gjuriç: Largimi i Jabllanoviç i gabuar

Gjuriç: Largimi i Jabllanoviç i gabuar Autoritetet në Beograd kanë reaguar pas shkarkimit të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanovic, nga Qeveria e Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, u shpreh se vendimi për ta larguar ministrin e Listës Serbe është tërësisht i gabuar.
“Nuk do të pranojmë poshtërimin e përfaqësuesve serbë në ‘institucionet krahinore’”, ka thënë Gjuriç përmes një deklarate dërguar mediave.

Sipas tij, vendimi për hapat e mëtejshëm për të kundërshtuar këtë shkarkim do të merret pas takimit të përfaqësuesve serbë të Kosovës me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, nesër në Beograd. Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka konfirmuar se Jabllanoviç nuk është më pjesë e kabinetit qeverisës.

Vendimi i qeverisë Mustafa u kundërshtua nga Jabllanovic i cili u rezistoi presioneve dhe kërkesave të vazhdueshme për dorëheqje nga ky post. Në një reagim për mediat, Jabllanoviç tha se vendimi i kryeministrit, për Listën Serbe, “është thellësisht dëshpërues”.”

Vendimi i kryeministrit është diçka të cilën ai e ka vendosur vetë dhe për ne është i papranueshëm”, ka thënë Jabllanoviç. Sipas tij, vendimi i Mustafës shpreh nënshtrimin ndaj presioneve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa për efektet që mund të ketë shkarkimi i tij në qëndrimin e Listës Serbe ne koalicionin qeverisës, Jabllanoviç ka deklaruar se vendimi do të merret në ditët në vijim.

Largimi i Jabllanoviçit nga qeveria u nxit nga protestat dhe presioni i opozitës për shkak të një deklarate që Jabllanovië kishte bërë më 6 janar. Ai i cilësoi “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.