Gjorgje Ivanov dhe Stevo Pendarovski në garën për president

Gjorgje Ivanov dhe Stevo Pendarovski në garën për president

Gjorgje Ivanov dhe Stevo Pendarovski në garën për presidentPresidenti aktual Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe profesori universitar Stevo Pendarovski nga LSDM do të jenë dy konkurrentët në garën për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni.

Kandidaturat e tyre vetëm se nuk janë zyrtarizuar, ndërsa jozyrtarisht ata tashmë kanë marrë besimin e këtyre dy partive më të mëdha politike në Maqedoni, bën të ditur INA.

Ivanov sot publikisht deklaroi për rikandidimin e tij për president, në konventën e 1 marsit të VMRO-DPMNE-së, kur pritet zyrtarizimi i kandidaturës së tij për garën presidenciale të 13 prillit. Ndërsa edhe Pendarovski gjithashtu pritet të marrë besimin e anëtarësisë dhe kryesisë së Lidhjes Social Demokrate Maqedonase (LSDM).

Siç bëjnë të ditur mediat e afërta me opozitën maqedonase, Pendarovski ka marrë dirtën jeshile nga këshilli ekzekutiv i LSDM, ndërsa kandidatura e tij pritet të zyrtarizohet në kongresin e kësaj partie të caktuar për 4 mars.
Derisa Ivanov është një personalitet i njohur duke qenë si president i vendit i zgjedhur nga viti 2009 dhe më pas një ish- profesor universitar, kandidati i opozitës është një personalitet i ri në skenën politike, i cili deri tani nuk ka pasur detyra partiake në radhët e opozitës.

Pendarovski njihet si këshilltari për siguri i presidentit të ndjerë Boris Trajkovski dhe më pas në kabinetin e ish-presidentit Brank Cërvenkovski. Më pas karriera e tij vazhdoi si profesor në Kolegjin Universitar Amerikan në Shkup.

Ndërkohë, partitë shqiptare akoma nuk kanë nxjerrë kandidatët e tyre, edhe pse partia më e madhe opozitare Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) mbrëmë vendosi pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa sot pritet të zbardh emrin e kandidatit të saj për president.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) si pjesë e koalicionit qeverisës akoma vazhdon të promovojë idenë për një kandidat koncensual për president, duke kërkuar mbështetjen për këtë nga partia bashkëqeverisëse VMRO-DPMNE.

BDI ka paralajmëruar se në rast se nuk gjen mbështetje për këtë ide, ajo mund edhe të bojkotojë zgjedhjet. Mirëpo, edhe kjo parti në momentin e fundit do të nominojë kandidatin e saj për zgjedhjet presidenciale./ina/