Gjinekologu: Shtatzënat mund të agjërojnë

Gjinekologu: Shtatzënat mund të agjërojnë

Gjinekologu: Shtatzënat mund të agjërojnëNga dita e sotme, be simtarët myslimanë fillojnë muajin e Ramazanit, duke ndërprerë kështu ngrënien, pijen dhe marrëdhëniet intime nga nisja e agimit deri në perëndim të plotë. E nëse agjërimi në këtë muaj është një zgjedhje e gjithësecilit, në shumë raste ekziston dilema nëse një kategori e caktuar njerëzish duhet ta ndërpresin ushqimin dhe pijen apo jo.

Një prej tyre janë edhe gratë shtatzëna, ushqimi i të cilave është thelbësor për bebet dhe për veten e tyre. Megjithatë sipas mjekut gjinekolog, Maksim Gjoni ato mund të agjërojnë, ndërsa kjo nuk e dëmton fetusin. “Mesa di unë të dy besimet e mëdha fetare përjashtojnë nga “dieta” të moshuarit, fëmijët, të sëmurët dhe gratë shtatzëna. Gjithsesi, për të gjitha ato gra shtatzëna që kanë vendosur të agjë-rojnë gjatë muajit të Ramazanit, nuk e shoh si problematike. Kjo pasi organizmi krijon disa “depo” të vogla ushqimi, të cilat i mundësojnë fetusit apo bebit në bark të marrë ushqimin e nevojshëm.

Pra, nëse kemi mosmarrje të ushqimit për një afat të shkurtër kohor, kjo nuk krijon problem. Problem është mungesa e ushqimit për një kohë shumë të gjatë, e cila mund të ndikojë negativisht te bebi. Por në rastin e agjërimit nuk e shoh si problematike. Më problem mund të cilësohet pirja e ujit, e cila në rastin e agjërimit është e ndaluar”,-shpjegoi Gjoni për “GSH”.

Komuniteti Mysliman
Nga ana tjetër Komuniteti Mysliman shpjegon se gratë shtatzëna nuk e kanë të ndaluar mbajtjen e agjërimit. Megjithatë, zë-dhënësi i këtij komuniteti, Agron Hoxha, shprehet se në rastet kur ato e kanë të pamundur ta mbajnë, atëherë feja ua lejon. “Padyshim që gratë shtatzëna mund të agjërojnë nëse kjo nuk u krijon probleme për shëndetin. Por, në muajt e fundit të shtatzënisë apo në rastet problematike feja u lejon grave të mos agjërojnë”,-shpjegoi Hoxha për “Gazeta Shqiptare”.

Shëndeti
Sipas specialistëve agjërimi forcon sistemin imunitar. Ai e mbron trupin nga një numër i madh sëmundjesh, duke e përmirësuar dhjetëfish treguesin fiziologjik të qelizave limfatike dhe duke e shtuar sasinë e qelizave përgjegjëse për imunitetin specifik. Gjithashtu, ai mbron nga dhjamosja dhe rreziqet që vijnë prej saj, si sëmundjet e brendshme dhe të zemrës, arterioskleroza e përgjithshme, dhimbjet e kyçeve, asimilimi i vertebrave etj. Po ashtu, agjërimi e mbron trupin nga formimi i gurëve në veshka si dhe nga rreziqet e helmeve të grumbulluar në qelizat dhe indet e tij si rrjedhojë e ngrënies së ushqimeve dhe e përdorimit të barnave që përmbajnë helme apo e thithjes së ajrit të ndotur me helme dhe gazra të dëmshëm. Një tjetër e dhënë interesante lidhet edhe me sëmundjet mendore. Kjo pasi, sipas mjekëve agjërimi mbron nga sëmundjet mendore dhe psikike. Po ashtu, agjërimi aktivizon gjëndrat “e shurdhëta” që gjenden në trup, siç janë gjëndrat e pankreasit, etj, si dhe palcën kockore, detyra e së cilës është formimi i rruazave të kuqe në trup. Gjithashtu, aktivizon lëvizjen e zorrëve, duke i forcuar ato dhe duke shtuar në aftësinë e tyre të nxjerrjes së lëngjeve tretëse, gjë e cila e rendit agjërimin si ilaçin më të mirë kundër shqetësimeve të zorrëve, madje edhe të sëmundjeve kronike të tyre të shoqëruara me probleme në tretjen e lëndëve ushqimore.