f1_derbi-jpg1334910396

Gjilani, mes krenarisë dhe turpit

Përballjet mes dy skuadrave nga qyteti i Gjilanit, Dritës e Gjilanit, janë të vetmet në Superligën e Kosovës në futboll që në stadium mbledhin deri në 10 mijë shikues.

Derbi gjilanas vlerësohet derbi më i madh lokal dhe më i madhi në futbollin kosovar, por ka edhe një anë tjetër të medaljes. Në ndeshjet që kanë zhvilluar këto skuadra në fushën e tyre në Gjilan shpeshherë kanë tërhequr vëmendjen edhe me incidentet që kanë shkaktuar tifozët apo dikush tjetër në vitet e pasluftës.

Në dy takimet e këtij edicioni të ekipeve gjilanase stadiumi ishte i vogël për t’i zënë të gjithë tifozët e interesuar për të përcjellë ndeshjen. Derbi i tretë gjilanas i këtij edicioni zhvillohet në fundjavë. Por, për ndryshim nga ndeshjet e kaluara, stadiumi do të jetë i zbrazur. Interesimi në Gjilan edhe për këtë derbi është shumë i madh, por tifozëve nuk do t’u lejohet futja në stadium, pasi Drita që është vendase, është dënuar nga FFK-ja që dy ndeshjet e ardhshme si vendas t’i luajë pa shikues. Për shkak të këtij vendimi, Drita pritet t’i humbë afro 10 mijë euro që ka planifikuar t’i sigurojë nga shitja e biletave.

Humbjet e Dritës për shkak të incidentit që shkaktuan tifozët e saj, “Intelektualët”, në ndeshje me Lepencin do të jenë dukshëm më të mëdha. Humbje do të ketë edhe Gjilani. Lojtarët dhe shikuesit e këtij klubi shkaktuan incident të rëndë të dielën e kaluar në ndeshje me Hysin.

Përveç dënimeve që morën dhe do të marrin nga federata, Drita e Gjilani pritet të ndëshkohen financiarisht edhe nga Komuna e Gjilanit që është njëri prej financuesve kryesorë të dy klubeve.

Ndëshkimin e dy klubeve të futbollit e ka paralajmëruar të enjten Selver Xhelili, drejtor për Rini, Kulturë e Sport në Komunën e Gjilanit.

Komuna ndëshkon Dritën e Gjilanin

“Do të ketë masa ndëshkuese ndaj atyre që shkaktuan incidentet ndaj dy klubeve. Incidentet që ndodhën i dënojmë dhe nuk do të lejojmë që të përsëriten. Masat do të jenë financiare. Ne mbulojmë shpenzimet e udhëtimit për të gjitha ekipet e qytetit, por nuk do të mbulojmë shpenzimet e udhëtimit për skuadrën e Gjilanit për pesë ndeshjet që është dënuar t’i luajë në një qytet tjetër. Do të ketë edhe masa të tjera. Nuk është e pranueshme që përkrahja të kthehet me dhunë nëpër stadiume”, ka thënë Xhelili.

Sipas tij, Komuna e Gjilanit ka ndarë shuma të mëdha për të përkrahur skuadrat sportive, në mesin e të cilave janë edhe Drita e Gjilani. Zyrtari gjilanas ka thënë se është investuar shumë në infrastrukturën e stadiumit të qytetit, ndërsa edhe subvencionet ndaj klubeve ishin të shpeshta.

“Incidentet që ndodhën kanë dëmtuar imazhin. Nuk do të lejohet që për dhjetë apo njëzet persona të pëson i tërë qyteti”, ka theksuar Xhelili.

Drita të martën është dënuar që të luajë dy ndeshje pa shikues për shkak të dështimit në organizim të ndeshjes së javës së 23-të të Superligës kundër Lepencit. Nëse ky vendim mbetet në fuqi, ekipi gjilanas në stadium të zbrazët do të përballet edhe me Hysin. Në ndeshjen e luajtur dy javë më parë, tifozët e Dritës u futën në fushë gjatë ndeshjes dhe nisën të hidhnin gjësende të forta në drejtim të tifozëve të Lepencit që ishin të vendosur në tribunën përballë. Loja u ndërpre për disa minuta dhe vazhdoi pas largimit të tifozëve nga fusha.

Incident edhe më i rëndë ndodhi të dielën e kaluar në ndeshjen Gjilani – Hysi. Për dështim në organizim, Gjilani u dënua që pesë ndeshje si vendas të mos luajë në stadium të vetin. Në atë ndeshje arbitri anësor Erduan Baliqi u sulmua fizikisht nga shikuesit, ndërsa portieri i Hysit, Afrim Ademi, u shkelmua nga disa lojtarë të Gjilanit dhe mbledhësit e topave. Ajo ndeshje nuk është regjistruar ende, ndërsa lojtarët gjilanas, Vllaznim Jashari, Florim Murseli e Lirion Ferati janë pezulluar deri në vendimin përfundimtar. Është pezulluar edhe trajneri i Gjilanit, Sallah Sherifi, pasi FFK-ja ka vlerësuar se me protestim ka nxitur civilët që të kërcënojnë arbitrin anësor.

Drita kërkon që suspendimi të hyjë në fuqi pas derbit

“Nuk jemi mbështetës të akteve që u panë në stadiumin e qytetit në Gjilan. Nuk jemi mbështetës të dhunës e të veprimeve të antisportistëve. Vendimet e FFK-së janë të drejta, por vendime të njëjta duhet të merren edhe për klubet e tjera, e jo vetëm për ato të qytetit të Gjilanit. Ndaj ekipeve të qytetit tonë ka pasur dhunë në Kaçanik, Kastriot e vende të tjera, por që kanë kaluar pa ndëshkime. Vendimet duhet të jenë të njëjta për të gjitha ekipet”, ka shtuar Xhelili.

Ndërkohë, dy ekipet gjilanase kanë kërkuar që derbi i së dielës (15:00) të zhvillohet me shikues. Një kërkesë e tillë i është bërë Komisionit të Garave të FFK-së që mblidhet të premten (sot).

“Është turp nëse federata vendos që derbi të luhet pa shikues. Kryesitë e dy klubeve kemi pasur mbledhje mbrëmë dhe kemi bërë kërkesë që ndeshja të luhet me shikues. Kemi kërkuar që vendimi për dënim të hyjë në fuqi pas derbit. Po presim përgjigje dhe nëse ajo është negative, atëherë tifozët do të mblidhen jashtë stadiumit në shenjë proteste. Vendimi që derbi të luhet pa shikues duket të ketë qenë skenar i përgatitur”, ka thënë të enjten kryetari i klubit Drita, Sadat Pajaziti.