Gjermania e bashkuar kundër spiunazhit ekonomik

Gjermania e bashkuar kundër spiunazhit ekonomik

Gjermania e bashkuar kundër spiunazhit ekonomikNë vitet e ardhshme, qeveria gjermane dhe organizatat e biznesit duan të krijojnë një mbrojtje më të mirë ekonomike. Afera e NSA-së luan në këtë mes vetëm një rol të tërthortë.

Në praninë e 200 përfaqësuesve të politikës dhe ekonomisë qeveria gjermane ka arritur të mërkurën ( 28.08.) në Berlin një marrëveshje me shoqatat e industrisë së ekonomisë gjermane kundër spiunazhit ekonomik dhe sabotimit. Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich, presidenti i Federatës së Industrisë Gjermane (BDI), Ulrich Grillo dhe Eric Schweitzer, presidenti i Dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK).

Negociatat mbi këtë “Letter of Intent” kishin filluar në fund të vitit 2012, pra para zbulimit të aferës së aktiviteteve të shërbimit sekret amerikan, NSA. Megjithatë në saj të aferës së NSA-së është rritur interesimi për këtë temë të rëndësishme në politikë dhe ekonomi, tha presidenti i BDI-së Grillo.

Deklarata e përbashkët mban titullin “Mbrojtja e Biznesit në Gjermani 2015 – besim, informacion, parandalim.” Gjermania synon të zhvillojë një strategji kombëtare për mbrojtjen ekonomike, që mund të shërbejë si një model për masa të ngjashme në Evropë, nënvizoi ministri i Brendshëm Friedrich.

Kërkohet më shumë besim reciprok
Komponent qendrore e strategjisë do të jetë një platformë e përbashkët e ndërmarrjeve ekonomike dhe autoriteteve të sigurisë me partnerët në nivel qendror. Për këtë do të jetë i nevojshëm një senzibilizim më i madh brenda kompanive për më shumë besim reciprok dhe një cilësi të re të shkëmbimit të informacionit, thuhet në marrëveshje.

Pamje simbolike Pamje simbolike
Në veçanti, kompanitë e suksesshme të vogla dhe të mesme duhet të bëhen më të ndjeshme ndaj çështjes së spiunazhit, tha kryetari i DIHK-së, Schweitzer. Këta “kampionë të fshehur” kanë poseduar një pjesë të konsiderueshme të forcës inovative të Gjermanisë, por gjatë aktiviteteve të tyre në mbarë botën janë kthyer shpesh në një objektiv të mirë për spiunazh. Nga autoritetet shtetërore të sigurisë Schweitzer pret që të jenë të përfshira si një partner i vërtetë dhe jo vetëm “si një dorë e zgjatur e një strategjie të sigurisë shtetërore.”

Tetë nga dhjetë kompanitë të cilat ishin viktima të sulmeve të spiunazhit, deri tani kanë hequr dorë nga një kallëzim në polici, tha presidenti i BDI-së, Grillo, pasi që ata nuk mund të parashikonin pasojat. Por autoritetet shtetërore kanë nevojë për këto informacione në mënyrë që të mund të mbrojnë më mirë kompanitë. Megjithatë ai e sheh si të gabuar idenë që rastet e spiunazhit të lajmërohen detyrimisht. Prandaj është për t’u përshendetur kallëzimi vullnetar. Ministri i Brendshëm gjerman Friedrich në parim u pajtua me Grillon por tha se ai megjithatë ka shtytur debatin në lidhje me raportimin e detyrueshëm për kompanitë e infrastrukturës kritike të tilla si energjia elektrike dhe furnizimi me ujë. Grillo kërkoi gjithashtu që spiunazhi ekonomik të trajtohet sipas ligjeve ndërkombëtare.

Sipas qeverisë gjermane dëmet e shkaktuara nga spiunazhi ekonomik kapin shumën e rreth 50 miliardë eurove. Për shkak të mosraportimit të të gjitha rasteve me siguri që kjo shumë duhet të jetë shumë më e lartë, theksoi ministri i Brendshëm, Friedrich. Pasojat e spiunazhit shpesh vërehen shumë më vonë, për shembull, kur në një panair papritmas një konkurrent prezanton produktin e ri në stendën e tij.
Spiunazhi nga Lindja

Pamje simbolike Pamje simbolike
Rusia dhe Kina janë dy aktorët kryesorë në spiunazh ekonomik, thotë Hans-Georg Maassen, Kryetari i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Shërbimi i zbulimit të brendshëm gjerman është përgjegjës për mbrojtjen nga ekstremizmi politik dhe spiunazhi ekonomik. Maassen ka raportuar për zbulimin e spiunëve të shërbimit të fshehtë kinez që kanë punuar si shkencëtar apo gazetar në Gjermani. Gjithashtu janë rekrutuar edhe punonjës gjerman, para së gjithash në fokus të shërbimeve të fshehta janë “bashkëpuntorët e frustruar”, paralajmëroi Maassen.
Mbrojtja kushtetuese nuk disponon “kurrfarë të dhënadh të cilat do të mbështesnin teorinë e spiunazhit ekonomik nga Perëndimi”, tha Maassen duke folur për zbulimet rreth spiunazhit kibernetik të bëra nga agjenti amerikan Edward Snowden. “Në fakt, deri sot, në gjithë Evropën nuk është zbuluar asnjë rast i spiunazhit ekonomik amerikan ose britanik,” ka shtuar Maassen. “Ne nuk jemi naivë, as të verbër dhe hetojmë të gjitha rastet e dyshimta”, premtoi presidenti i organit për mbrojtjen kushtetuese./dw/