Gjergj Dedaj kundërshtar politik i Thaçit

Dedaj, një ditë pas shkarkimit nga posti i zëvendësministrit të Transportit thotë se tash është momenti për t’i thënë ato që i ka heshtur për 11 vjet. “Kur ky njeri dëshiron të ma marrë fytyrën mua dhe t’i lajë duart me gjakun tim, atëherë do të ketë shumë telashe me mua, personalisht Hashim Thaçi”, u shpreh Dedaj.

Në këtë post, Dedaj u emërua të premten e kaluar, duke provokuar kështu një sërë shkrimesh në shtypin e Prishtinës.

Kryetari i PLK-së u denoncua si keqpërdorues i mjeteve financiare sa mbante postin e zëvendësministrit të Punës. Kjo situatë duket se shtyu kryeministrin Thaçi që ta shkarkojë atë.

Dedaj për të përditshmen Express citohet të ketë thënë “Prej këtij momenti jam kundërshtar politik i Hashim Thaçit. Jo i PDK-së, jo i Qeverisë së Kosovës, jo i partive politike, por vetëm kundërshtar i Hashim Thaçit”, ka deklaruar Dedaj për Express.

“Unë do të kem përballje vetëm me Hashim Thaçin, të cilin e ftoj që brenda javës së ardhshme ose të më kërkojë falje publike ose të më presë në takim sy me sy. Përndryshe, do ta flas atë që e kam heshtur që 11 vjet”, u shpreh Dedaj, duke shtuar se ka heshtur për hir të interesave nacionale.

“Kam heshtë për shkak të Kosovës, me ja shpëtue fytyrën vendit, UÇK-së dhe Hashim Thaçit. Kur ky njeri dëshiron me ma marr fytyrën mua, e me i la duart me gjak timin, atëherë ka me pas telashe me mua personalisht Hashim Thaçi”, ka deklaruar kryetari i PLK-së.

Duke folur për akuzat ndaj tij, për avancat sa ka punuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Dedaj tha se për të gjitha tashmë i ka dhënë shpjegimet dhe dokumentacionet. /Express/