Gjenerali Reinhardt: Politika s’lejoi ta bashkojmë Mitrovicën

Gjenerali Reinhardt: Politika s’lejoi ta bashkojmë Mitrovicën

Gjenerali Reinhardt: Politika s’lejoi ta bashkojmë MitrovicënIsh-komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Klaus Reinhardt ka thënë se gjatë kohës sa ai kishte shërbyer në krye të forcës shumëkombëshe kishte ekzistuar një plan nga ana e këtij misioni për integrimin e qytetit të Mitrovicës, mirëpo ky projekt nuk kishte gjetur përkrahje te politika ndërkombëtare.

Reinhardt ka folur të premten në konferencën: “Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sfidat dhe mundësitë”, të organizuar nga Kolegji Universitar ISPE, e në të cilën ai ka qenë panelisti i vetëm.

Ushtaraku gjerman nuk ka dashur që të hyjë shumë në detaje rreth pengesave që i ishin bërë planit të KFOR-it për integrimin e Mitrovicës.

“Nuk dëshiroj të hyj në detaje, sepse nuk dëshiroj ta akuzoj askënd, por pengesa ka ardhur nga politika ndërkombëtare e jo nga ajo vendore”, ka thënë ai. “Ne e kemi pasur një lloj plani për pjesën veriore të Mitrovicës, por përderisa qarqet politike nuk janë pajtuar me këtë koncept, atëherë ne si ushtri (KFOR-i v.j.), nuk kemi mundur të bëjmë më shumë për arsye se nuk kemi qenë pjesë e politikës”.

Ai ka kujtuar që kur e kishte marrë detyrën e komandantit të KFOR-it, qyteti i Mitrovicës tashmë kishte qenë i ndarë, shkruan Koha Ditore, e cila sot sjell më shumë detaje nga fjala e gjeneralit Reinhardt.