|

Gjëndrat në gjoks

Gjëndrat në gjoksGjëndrat në gjoks shfaqen te shumë femra, çka bën që atyre t’u shkojë mendja menjëherë tek më e keqja.

Shifrat alarmante të të prekurave nga kanceri i gjirit vitet e fundit e kanë rritur vëmendjen e femrave për kontrolle periodike të trupit të tyre. Gjëndrat në gjoks shfaqen te shumë femra, çka bën që atyre t’u shkojë mendja menjëherë tek më e keqja.

Por nuk është gjithmonë kështu. Shpeshherë mund të kemi të bëjmë me formacione beninje, të cilat mund të jenë kiste apo fibroadenoma. Në disa raste arsyeja e shfaqjes së tyre mund të jenë edhe ndryshimet që pëson trupi, p.sh. gjatë menopauzës.

Madje, mund të ndodhë që edhe në moshën 8 vjeç, vajzave t’u shfaqen gjëndra, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse shenjat e para të fillimit të pubertetit dhe ndryshimeve hormonale.
Diagnoza e bazuar në biopsi, ekografi apo mamografi është mënyra më e mirë për të kuptuar se me cilën nga këto raste kemi të bëjmë.

Fibroadenoma
Është një tumor beninj, i cili haset shpesh te femrat nën moshën 35 vjeç. Është një formacion në gjoks që nuk sjell dhimbje dhe formohet e rritet për shkak të çekuilibrimit të hormoneve, si p.sh. sasia e madhe e progresteronit.
Me kalimin e muajve, dimensionet e kësaj gjëndre mund të rriten, duke krijuar edhe shqetësim. Për këtë arsye, mjekët këshillojnë një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr masën e zmadhuar.

Kistet
Kistet janë të dhimbshme. Ato janë si qeska të mbushura me lëng, i cili duhet ekzaminuar. Një sasi e vogël e këtij lëngu i nënshtrohet analizës histologjike, e cila jep përgjigjen e saktë për materialin që e përbën dhe sa i rrezikshëm mund të jetë. Në disa raste, mjekët procedojnë me aspirimin e këtij lëngu dhe kontrollet e herëpashershme, pasi kistet mund të mbushen sërish.

Tumori në gjoks
Në shumicën e rasteve, tumori i gjirit nuk ka asnjë simptomë. Për këtë arsye, kontrollet vetjake duhet të jenë të shpeshta, pa harruar mamografinë të paktën një herë në vit. Tumori i gjirit apo karcinoma mamare nuk haset shpesh te femrat nën 45 vjeç. Kjo lloj gjëndre ka formë të çrregullt, është e fortë dhe ndryshe nga kistet është i fiksuar në një vend.

Rastet kur duhet të shqetësohemi kanë të bëjnë me shfaqjen e një gjëndre nën sqetull apo në gjoks, e cila shoqërohet me enjtje, irritim, skuqje të lëkurës, ndryshim të formës dhe përmasave dhe dhembje.

Gjëja e parë që duhet bërë në këto raste është të drejtohemi tek mjeku. Vetëm ai mund të japë një përgjigje për të gjitha dyshimet tuaja.

Tumori i gjirit është sëmundje e rëndë që u ka marrë jetën miliona femrave në të gjithë botën. “Bisha” mundet vetëm duke bërë kontrolle të herëpashershme. Diagnostikimi i hershëm është thelbësor për të fituar betejën me të.