siguria-ne-kosove

Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile

Hashim Thaçi dhe komandanti suprem i Forcave të Përbashkëta për Evropën të NATO-s, admirali Xhejms Stavridis e vlerësuan përgjithësisht stabile gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se temë bosht e takimit ishte gjendja aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, progresi i arritur në Kosovë dhe thellimi i bashkëpunimit me NATO-n.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takim shprehu mirënjohjen e lartë për kontributin substancial që ka dhënë Aleanca Veri-atlantike në ngritjen dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, një forcë që është duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Gjendja e sigurisë në Kosovë nga dy bashkëbiseduesit u vlerësua përgjithësisht stabile, ndërsa kryeministri Thaçi vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

“Reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë dëshmon se gjendja e sigurisë çdo ditë e më tepër është stabile dhe se institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin përgjegjësitë që iu takojnë për sigurinë e vendit”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Ndërsa, komandanti suprem i Forcave të Përbashkëta për Evropën të NATO-s, admirali Xhejms Stavridis theksoi përkushtimin e NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Ndryshe, me admiralin Xhejms Stavridis është takuar edhe presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ndërsa është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me NATO-n.