Gjaku, mjekët të “detyruar” për dhurim vullnetar

Gjaku, mjekët të “detyruar” për dhurim vullnetar

Për herë të parë, me një udëzim të veçantë të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, këtë vit u hartua programi për organizimin e sesioneve të dhurimit vullnetar të gjakut nga personeli i institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin.

Kjo për shkak të vështirësive të përballimit të nevojave me gjak gjatë periudhës së verës.

Në bazë të këtij udhëzimi, deri tani, përveç stafit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, kanë dhuruar gjak një sërë institucionesh të tjera si në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Lushnjë.

Në muajt në vazhdim ky aktivitet do të vijojë me rajonet e Korçës, Beratit, Elbasanit, Durrësit, Gjirokastrës, Kukësit dhe Dibrës.

Ndërkohë procesi i dhurimit vullnetar të gjakut nga institucionet shëndetësore është në vazhdimësi dhe fushata do të vijojë deri në mesin e muajit shtator, kohë në të cilën nis të rritet numri i dhurimeve vullnetare për shkak të rifillimit të aktiviteteve pas pushimeve të sezonit veror, si dhe operacioneve me planifikim.

Si rezultat i dhurimeve, gjatë muajit korrik janë arritur të plotësohen nevojat e spitaleve për gjak dhe veçanërisht për të sëmurët kronikë që bëjnë transfuzione të shpeshta gjaku.

Gjithashtu me sukses janë përballuar edhe situatat e vështira sikurse janë aksidentet e shpeshta rrugore dhe traumat që konstatohen në mënyrë frekuente në rrugët tona.