Gërmuesit e harruar të varrezave masive

Gërmuesit e harruar të varrezave masive

Gërmuesit e harruar të varrezave masivePas 15 vjetësh, për herë të parë ekipi kërkues kosovar për gjetjen e trupave shqiptare të vrarë nga serbët gjatë luftës 1998-1999, është furnizuar me disa pajisje elementare: rroba dhe fotoaparat.

Për një dekadë e gjysmë, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, së bashku me ekipin kërkimor i kanë fotografuar me aparatet e tyre personale varrezat masive. Ata asnjëherë nuk kanë pasur pajisje të punës për çështje sigurie.

Tash sa vjet udhëtojnë me makina të vjetra nëpër Kosovë dhe Serbi, kurse kërkesës së tyre për vetura të reja, Qeveria e Kosovës u është përgjigjur, “se janë duke kursyer buxhetin”.

Gërxhaliu i përfshirë në këtë proces, qysh nga hapja e varrezës së parë masive në vitin 1999, ka udhëtuar për në Serbi me dhjetëra herë për 11 vjet me radhë dhe nuk i është paguar as rruga. Mëditjen e parë që ai e ka marrë nga Komisioni për të Pagjetur i Kosovës ka qenë në vitin 2010.

Në një intervistë për gazetën “Zëri”, Gërxhaliu tregon në detaje për sfidat gjatë këtyre viteve me të cilat është ballafaquar me gjithë ekipin e tij. Aktualisht, ata po gërmojnë në varrezën e dyshuar në Rashkë të Serbisë, saktësisht në lokacionin “Rudnica 3”, ndërsa me përfundimin e këtij rasti, Gërxhaliu paralajmëron se, nëse nuk ndryshojnë gjërat do të largohet përfundimisht nga ky proces.

Varrezat e fotografuara me aparate personale

I pyetur se si ka punuar për 15 vjet, Gërxhaliu thotë: “Kemi punuar pa përkrahje. Kemi përdorur aparatet personale. Më pas Ministria e Drejtësisë i bëri disa përmirësime, mirëpo teknologjia po ecën dhe nuk po mundemi të jemi në hap me të arriturat.
Dallimin mund ta shohësh ne mes nesh dhe të EULEX-it, të cilët ata në Rudnicë kanë ardhur shumë të kompletuar me të gjitha mjetet, me transportues të mëdhenj, ashtu siç do të duhej të ishim edhe ne”.

Gërxhaliu tregon se Qeveria e Kosovës po ua vështirëson punën në vazhdimësi, duke u thirrur në procedurat që duhen respektuar.

Ai merr shembull rastin kur ka kërkuar makina për terren. ”Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, më ka thënë se masat e kursimit janë të planifikuara me buxhet”.

Gërxhaliu merr shembull palën serbe, duke thënë se dallon shumë për nga procedurat.

“Pala serbe e ka mundësinë e veprimit at-hoc. Ndërsa ne për çdo rast, edhe nëse është emergjente, duhet t’i presim procedurat. Kurrë nuk mund të marrë një vendim për diçka që kërkon reagim të menjëhershëm. Për këtë arsye edhe gjithçka shkon ngadalë”, thotë ai. Madje, shton se kurrë për 15 vjet nuk ka arritur që t’ju sqarojë institucioneve të Kosovës se çështja e ta pagjeturve përbën rast specifik dhe si i tillë duhet trajtuar.

Pas përfundimit në Rashkë, paralajmëron dorëheqjen

Gërxhaliu, i lodhur nga mospërkrahja, ka dhënë dorëheqje vitin e kaluar, por ishte rikthyer pas kërkesë së ministrit Kuçi se do të rregullohen gjërat.

“Jam larguar dhe asnjëherë nuk kam pasur ndonjë rikthim pozitiv. Një përjashtim ka qenë vitin e kaluar kur dhashë dorëheqje, ministri, Hajredin Kuçi, bëri një kthesë sado të vogël në drejtim të përmirësimit të situatës dhe më bëri që të kthehem. Por, vazhdoj të jem shumë i lodhur. Janë bërë 15 vjet që punoj si vullnetar. Kjo është e tepërt”, tha ai.

Prej vitit 1999 deri në vitin 2010 Gërxhaliu nuk e ka marrë as përkrahjen më të vogël. Gjatë kësaj periudhe ai ka shkuar 37 herë në Serbi, i ka sjellë mbi 1 mijë qeska dhe shpenzimet e atyre udhëtimeve i ka bërë me mjetet e tij personale. Madje, ai tregon se nuk i është paguar as rruga.

“Nuk më është paguar as rruga”. Mëditjen e parë thotë se e ka marrë 11 vjet pas përfundimit të luftës, në vitin 2010.

Ata tani marrin 41 euro në ditë nëse fjetjen e kanë me mëngjes, ndërsa rreth 60 euro nëse është fjetja pa mëngjes. “Me këto para duhesh të menaxhosh tërë ditën. Nuk na ofrohet asgjë e veçantë”, tregon Gërxhaliu.

Ai thotë se do të jetë i lumtur që të ketë energji për të përfunduar rastin në Rudnicë, duke paralajmëruar se nëse nuk do të ketë ndryshime do t’i japë fund angazhimeve të tij.

“Ajo që kërkoj është që dikush ta kuptojë se kemi të bëjmë me një proces sensitiv, të ndjeshëm, i cili ka nevojë për një përkrahje ndryshe nga të tjerët”.

Serbia me një Komision, Kosova i ndërron sipas partisë në pushtet

Gërxhaliu thotë se Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit ndërrohet sa herë që vjen parti e re në pushtet.

“Komisioni nuk duhet ndryshuar sepse është një punë specifike, që kërkon kohë për t’i ditur gjërat, për t’i kuptuar. Është e vështirë për mjekët e lëre më për njerëzit laik.

Më së paku një anëtari të ri në Komision i duhen 2 apo 3 vjet që vetëm të njoftohet me natyrën e punës”, thotë ai. Derisa tregon se për dallim nga Kosova, në Serbi

Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit e ka të njëjtë nga themelimi i saj, në vitin 1999.

“Serbia është më e organizuar. Kanë një Komision të themeluar në vitin 1999 dhe anëtarët e njëjtë vazhdojnë të jenë edhe sot. Në dallim prej nesh që Komisionit i janë ndërruar anëtarët sa herë që ka ardhur një qeveri e re, një parti e re. I vetmi inventar i Komisionit në Kosovës prej vitit 1999 jam unë, të gjithë të tjerët janë ndërruar”, shprehet Gërxhaliu, ndërsa përmend vetëm periudhën e ardhjes së ministrit Kuçi, i cili pavarësisht se është PDK nuk e ka ndryshuar Komisionin.

Sa i përket bashkëpunimit me Serbinë, thotë se diversitetet gjithmonë janë prezente. “Por në rastin e Rashkës janë treguar shumë korrektë, ku secili kryen punën e vet dhe nuk kanë probleme”, ka thënë Gërxhaliu.

Riatdhesimi i mbetjeve mortore

Gërxhaliu njofton se derisa po gërmohet në Rashkë, të njëjtën kohë po bisedohet edhe për riatdhesimin e mbetjeve mortore nga Serbia për në Kosovë. Ai thotë se kjo do të ndodhë shumë shpejt.

Tregon se riatdhesimi do të bëhet në pikën e Merdarës, ku Serbia do t’ia dorëzojë EULEX-it, ndërsa EULEX-i do t’ia dorëzojë Kosovës, që më pas të dorëzohen në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë ku do t’ia bashkëngjitin pjesët e trupit sipas analizave dhe raportit të ADN-së dhe në bashkëpunim me familjarët do të rivarrosen.

Arsyeja pse EUELX-i do të jetë ndërmjetësues i riatdhesimit është se në vitin 2006, kur ka qenë transferi i fundit ka qenë nën administratë të UNMIK-ut, ndërsa ekziston një protokoll mes UNMIK-ut dhe palës Serbe. Tani për Serbinë ka dalë problem, për shkak se siç thotë Gërxhaliu:

“Ne kemi emër tjetër, unë jam drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Ministria e Drejtësisë Republika e Kosovës, e Serbia nuk na pranon si të tillë. Prandaj, e kemi gjetur një mes, kur ekspertët e EULEX-it do t’i pranojnë mbetjet mortore nga pala serbe e unë do t’i marrë nga EULEX-i”.

Veriu me shumë varreza masive

Lidhur me varrezat në pjesët e tjera, qoftë në Serbi apo Kosovë, Gërxhaliu thotë se tashmë i kanë identifikuar disa, por nuk i plasojnë pa u siguruar.

“Kemi pasur rast kur në Serbi kemi gërmuar 468 metra kanal, me thellësi 4 metra dhe nuk ka dalë asgjë. Në Kosovë vitin e kaluar kemi hapur 87 lokacione dhe prej tyre vetëm 3 kanë rezultuar me mbetje mortore”.

Por siç tregon më tej, në Kosovë ka informacione serioze për disa lokacione ku mund të ketë varreza masive e ato më së shumti janë në regjionin e Mitrovicës, në veçanti në veri.

“Shumica janë në pjesën e veriut të Mitrovicës. Por, për atë pjesë mungon siguria, duhet të sigurohet terreni. Më pas me urdhër të prokurorit të na jepet leja për gërmime”.

Momenti i fundit për ndryshime

“Është koha e fundit që të bëhen disa ndryshime në këtë proces, sepse në këtë formë tashmë është bërë e pamundur që të punohet”, shprehet Gërxhaliu.

Duhet të marrë formë tjetër, qoftë të ngritjes në nivel më të lartë, qoftë në një riorganizim më të mirë.

Si shembull ai merr formulën në Cipro. “50 vjet pas luftës ata kanë arritur që t’i bashkojnë grekët dhe turqit, kanë krijuar një fondacion shumë të mirë, kanë bërë edhe laboratorin atje e kanë dërguar Komisionin në nivel ndërministror, por me kompetenca më të madhe se të Ministrisë. Ekipi kishte kartë identifikuese, me të cilën as në kufi nuk ndalen”./zeri/