Gena Lito që një vit në Kosovë

Gena Lito që një vit në Kosovë

Këngëtari nga Shqipëria, Gena Lito kohëve të fundit ka bërë ‘boom’ në Kosovë. Atij thuajse tani i mungon vetëm një pasaportë kosovare, sepse që një vit është njëri prej më të kërkuarve nëpër restorante, hotele, klube të natës, por edhe nëpër dasma në Kosovë, posaçërisht në Prishtinë. 

Edhe për festën e Fiter Bajramit, Gena ishte shumë i kërkuar.

Mirëpo, ai kishte kënduar në një restorant mes Prishtinës e Fushë Kosovës, të cilën mbrëmje e kishte organizuar menaxheri i tij, Enis Fetahu në bashkëpunim me Pashtrik Morinën.

Për të qenë pjesë e asaj mbrëmjeje fenomenale, sipas Fetahut, interesimi i të rinjve ishte shumë i madh, derisa më herët shumë restorante, hotele e klube nate nëpërmjet Fetahut e kishin ftuar Genën për të kënduar para mysafirëve të tyre.

E për vetë Genën mbrëmja e së martës do të mbetet e paharruar. “Që një vit sa këndoj nëpër Kosovë, mbrëmja e festës së Fiter Bajramit ishte më e mira, perfekt, pa kurrfarë dyshimi. E përgëzoj anëtarin e ekipit tim, Enis Fetahun, për organizimin, e mbi të gjitha mysafirët që ishin fenomenalë”, tha Gena për Express.

Ai është i impresionuar nga publiku kosovar gjatë periudhës njëvjeçare sa ka kënduar nëpër Kosovë. “Që një vit aktivitetet e mia jam duke i zhvilluar në Kosovë, posaçërisht në Prishtinë, por edhe në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë dhe gjithë Kosovën. Publiku kosovar është ai që po më mban këtu. Publiku këtu është fenomenal dhe muzikdashës. Edhe në Shqipëri publiku është shumë i mirë, por ky kosovar është i jashtëzakonshëm dhe është kënaqësi e madhe për mua kur këndoj para këtij publiku”, thotë ai.

Sipas tij, futbollisti Enis Fetahu, i njohur për organizime të ahengjeve të tilla, po i ndihmon shumë ta ofrojë me publikun kosovar. “Minimum katër herë dhe maksimumi pesë herë në javë këndoj për publikun fenomenal që ka Kosova. Pra, jam shumë i angazhuar këndej, sepse përveç gjeneratave të vjetra, tani edhe të rinjtë kosovarë duan që unë t’u këndoj dhe ky fakt më gëzon”, vazhdoi ai.

Ai tregoi se për fansat e tij kosovarë shumë shpejt do ta plasojë një këngë të re të pasuruar edhe me video-klip. “Që tri javë kam plasuar albumin tim dhe jam tepër i kënaqur me interesimin e audiencës. Shumë shpejt fansave të mi, pra publikut kosovar, nëpërmjet medieve do t’ua përcjell një këngë të re timen dhe një spot. Shumë shpejt do ta promovoj spotin, punimet rreth të cilit kanë përfunduar”, përfundoi Gena.