f1_04gashi-jpg1344150159

Gashi kërkon më shumë para për Universitetin e Prishtinës

Katër ditë para marrjes së postit të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, ka kërkuar më shumë përkrahje financiare nga institucionet. Ai ka vlerësuar se aktualisht Universiteti i Prishtinës ka buxhet tepër të vogël që të funksionojë sikur universitetet e tjera evropiane.

“Buxheti vjetor i Universitetit të Vjenës në Austri sillet rreth 900 milionë euro, kurse ky i Prishtinës nuk siguron më shumë se 30 milionë euro në vit”, është shprehur ai për të shtuar se aspiratat e tij për zhvillim të UP-së janë evropiane, porse mundësitë janë të vogla.

Ai ka theksuar se UP-ja aktualisht është duke funksionuar për zgjidhje të çështjeve sociale, sepse i fut 10 mijë studentë brenda, duke i larguar nga rruga.

Gashi ka premtuar se do ta mënjanojë politikën nga UP-ja, duke i krijuar autonomi të plotë institucionale, do të krijojë kushte për pavarësi studimi, digjitalizim, përafrimin me universitetet e tjera publike evropiane e ndërkombëtare e kështu me radhë, raporton Koha.net.

Po kështu, ai e ka pranuar faktin se UP-ja lë shumë për të dëshiruar. Gashi i ka thënë këto në një tryezë të organizuar nga Shkolla Politike e Prishtinës, në të cilën është prezantuar një analizë e shkurtër për UP-në. Përkitazi me gjetjet nga kjo analizë janë nxjerrë edhe konkluzionet dhe rekomandimet.