|

Garancia e Sekretares

Hillary Clinton kërkoi nga Prishtina që ta nënshkruajë marrëveshjen për bashkëpunim rajonal. Përmes një telefonate me Kryeministrin Hashim Thaçi, Sekretarja amerikane e Shtetit rikujtoi se Amerika kurrë nuk do të sugjeronte diçka që bie ndesh me interesat e Shtetit të Kosovës. Bisedimet Kosovë-Serbi pritet të vazhdojnë sot, pasi të martën Edita Tahiri nuk arriti të shkonte në Bruksel.

Qysh në ditën kur Kosova dhe Serbia pritej të përballeshin sërish në Bruksel, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua kanë ripërsëritur udhëheqësve kosovarë kërkesën për arritjen e një kompromisi rreth përfaqësimit rajonal.

Pavarësisht se Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton javën e kaluar kishte dërguar zëvendësin e saj, William Burns, ajo përmes një bisede telefonike të martën ia ka bërë të qartë kreut të ekzekutivit, Hashim Thaçi atë çfarë pritet nga Kosova.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka njoftuar për detajet e bisedës,

“Temë kyçe e bisedës ishte kërkesa e Kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në implementimin e agjendës euroatlantike, në mënyrë që Republikës së Kosovës t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Europian”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa Sekretarja Clinton citohet të ketë thënë se Amerika asnjëherë nuk do të kërkonte ndonjë veprim që bie ndesh me interesat nacionale të Kosovës.

“Sekretarja Clinton i ka rikujtuar edhe një herë Kryeministrit Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës që SHBA’ja asnjëherë nuk do t’i sugjeronte Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime të cilat do t’i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike”, thuhet ndër të tjera.

Ndërsa theksohet mbështetja amerikane për Kosovën në rrugën e saj europiane.

“Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të parezervë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. SHBA’ja do të vazhdojë të qëndrojë përkrah qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, citohet Clinton në njoftimin e Qeverisë.

E, pavarësisht se të martën ishte pritur që të vazhdojnë bisedimet në Bruksel, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, nuk është paraqitur atje.

Fillimi i raundit të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ishte caktuar të mbahet gjatë orëve të pasdites të së martës, pasi Zyra e ndërmjetësit Cooper ka marrë konfirmimin se delegacioni i Prishtinës është nisur drejt Brukselit nga Vjena.

Mirëpo, ky takim nuk u mbajt ngase Kryenegociatorja dhe ekipi i saj nuk arritën, siç u tha nga për shkaqe teknike, në Kryeqytetin e Belgjikës. Ndërkohë, takimi i paraparë pritet që të mbahet sot.

Në këtë takim pritet që të arrihet një kompromis rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat ndërkombëtare, gjë për të cilën ditëve të fundit janë zhvilluar debate të shumta.

Diskutime kryesisht ka pasur rreth fusnotës me të cilën do të paraqitet Kosova.

Serbia insiston në modelin ku Kosova do të prezantohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për edhe siç thonë, shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Ndërsa, vetë kreu i ekzekutivit kosovar, Kryeministri Thaçi edhe publikisht e ka konfirmuar se për palën kosovare një model i tillë do të ishte i pranueshëm vetëm në qoftë se në të do të përfshihej Deklarata e Pavarësisë dhe opinioni i GJND’së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Rezoluta 1244.

Modeli më i balancuar, megjithatë po konsiderohet ai ku thuhet se Kosova do të paraqitej me emër si dhe fusnotën e cila do të përmbante Rezolutën 1244 të KS të OKB’së dhe mendimin këshillëdhënës të GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të 2008’ës.

Ndryshe, në takimin që pritet të mbahet sot në Bruksel, pritet të diskutohet edhe rreth marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, IBM.

Komentoni