Gaddafi_1524074c

Gaddafi përdhunonte vajza e djem

Ish-diktatori libian, kolonel Gaddafi keqtrajtonte dhe përdhunonte vajza të vogla, të cilat ishin rrëmbyer dhe i shërbenin ish-liderit të Libisë si skllave seksi. Këto janë zbulimet tronditëse të një libri të ri të botuar nga reporterja, Annick Cojean, e cila mblodhi dëshmitë e vajzave të dhunuara.

Njëra prej tyre, Soraya, ishte vetëm 15 vjeç kur u rrëmbye në vitin 2004, pasi ishte zgjedhur t’i jepte liderit një buqetë me lule, pasi kishte vizituar shkollën ku ajo mësonte. Gaddafi e kishte pranuar dhuratën dhe i kishte vënë vajzën dorën në kokë, një shenjë që siç thotë sot vajza nënkuptonte: “Këtë dua”.

Një ditë më pas, gra me uniformë i thanë nënës së saj se Gaddafi e donte për një tjetër “ceremoni” vajzën. Pasi e rregulluan dhe veshën në mënyrë provokuese, e çuan në dhomën e Gaddafit, transmeton “albanianscreen”.

“Ai më mori për dore dhe më detyroi të ulesha pranë tij në shtrat. Nuk kisha guxim as ta shihja në sy”, thotë vajza, e cila më tej shton se ish-lideri iu drejtua me fjalët: “Mos ki frikë, unë jam babai yt. Kështu më quan ti, apo jo? Por unë jam po ashtu vëllai dhe i dashuri yt. Do të jem gjithçka për ty, sepse ti do të qëndrosh e do të jetosh me mua përgjithmonë”.

Vajza thoshte se për pesë vjet që qëndroi me Gaddafin, u dhunua sistematikisht. Një tjetër viktimë, Houda ishte vetëm 18 vjeç kur u takua me kolonelin dhe pranoi të kryente marrëdhënie me të, nëse ai do të lironte vëllanë e saj nga burgu. Vajza më pas, u abuzua për vite me radhë.

Gaddafi njihej si diktator, por dëshmitë e vajzave tregojnë se veç kësaj ai ishte një monstër, që dhunonte dhjetëra vajza çdo ditë, por kishte raste kur kërkonte edhe djem. Në një intervistë për “Le Monde”, reporterja franceze tha se për Gaddafin, përdhunimi ishte një armë për të dominuar mbi femrat, por edhe mbi meshkujt, duke u marrë atyre gratë, vajzat dhe motrat e tyre.