Fyle: Statusi i kandidatit është i mundshëm

Fyle: Statusi i kandidatit është i mundshëm

Pak ditë para se në Bruksel të mblidhet Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian për të diskutuar propozimin e Komisionit për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, lëshon sinjale pozitive.

Duke folur nga Zagrebi, në një takim për Ballkanin Perëndimor, ai është shprehur se marrja e statusit nga vendi ynë është akoma i mundshëm.

Sipas tij, propozimi nuk ka të bëjë me hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, por vetëm me dhënien e statusit. “Shqipëria ka bërë progres të dukshëm gjatë vitit të kaluar, sidomos në marrëveshjen ndërpartiake në procesin e reformave të Bashkimit Europian, si dhe realizimin e një sërë reformash kyçe të përcaktuara në opinionin e Komisionit.

Ne nuk po propozojmë ende hapjen e negociatave për anëtarësim, por statusi i kandidatit është brenda mundësive”, deklaroi Fyle. Qëndrimi i komisionerit të Zgjerimit vjen pasi në Tiranë prej disa ditësh po debatohet për miratimin e tri ligjeve me shumicë të cilësuar, të cilat janë vendosur nga Komisioni për marrjen e statusit.

Maxhoranca i ka bërë thirrje disa herë opozitës për t’i votuar këto tri ligje, por nga ana e saj pakica ka vënë si kusht zbatimin e vendimit të gjykatave për çështjen e Fierit. Këtë qëndrim e konfirmoi edhe dy ditë më parë deputeti i PS-së, Pandeli Majko. “Tri ligjet për të cilat po flasim sot janë një ndryshim në Rregullore, por nuk besoj se ky ndryshim në Rregullore do të ndryshojë nivelin dhe cilësinë e marrëdhënieve midis maxhorancës dhe opozitës.

Është një ndryshim në ligjin për administratën civile, nuk do të thotë se një pastrueseje të administratës nuk do t’i duhet një vërtetim me shkrim nga përfaqësuesit e PD për ta fituar vendin e punës, dhe për ta vazhduar ironinë, ligji i tretë është ligji për Gjykatën e Lartë. Nuk besoj, edhe pas ndryshimit të propozuar për Gjykatën e Lartë, se ende te PD-ja nuk ekziston qartë vullneti për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë për qarkun e Fierit”, u shpreh deputeti i PS-së.

Berisha: Rama na bllokoi

Kryeministri Berisha akuzoi pak ditë më parë kreun e PS-së, Edi Rama, se po e bllokon marrjen e statusit njësoj siç ka bllokuar Greqia, Maqedoninë. “Një bllokim që i bëhet Republikës së Maqedonisë në procesin e integrimit të saj nga vendi fqinj, Greqia, për shkak të një marrëveshjeje të emrit që duhet të zgjidhet, si dhe bllokimit që i bën Shqipërisë zoti Rama për shkak të çështjes së rrethit të Fierit. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një bllokim nga jashtë, në rastin e dytë kemi të bëjmë me një bllokim nga brenda”, tha Berisha.