Fushatë me shpenzime sekrete

Fushatë me shpenzime sekrete

Fushatë me shpenzime sekreteKosova edhe një muaj e gjysmë do të përjetojë qetësinë publike. Mesi i muajit tetor do të shënojë fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit si dhe ndryshimin e pamjeve të qyteteve të Kosovës.

Miliona euro do të derdhen për të “mbuluar“ sytë e banorëve të vendit që të japin votën për partitë.

Liderët komunalë nuk do të tentojnë që vetëm me program ta bindin qytetarin t’ia japë votën, por edhe me mesazhe të ndryshme përmes billbordeve, tubimeve elektorale me pjesëmarrje të këngëtarëve më në zë, reklama të programit të tyre në media duke i dhënë prioritet, sidomos dukjes së tyre, e cila nuk pritet të jetë shumë e dallueshme nga zgjedhjet e mëparshme, sepse rrudhat ua fshinë fotoshopi (mjeti për zbukurimin e pamjes, heqjen e rrudhave) përmes të cilit, ata kërkojnë “kthimin e rinisë”, dhe një fytyrë që iu sjell votën.

Kjo lloj tradite e krijuar pas luftës për t’i fituar zgjedhjet nuk po ndryshon, dhe si dëshmi është fillimi i një fushate jo zyrtare që kandidatët për kryetar komunash kanë nisur të lobojnë për vota, po premtojnë…po shfrytëzohen lidhjet familjare, miqësore… që të fitojë ai që do të ndihmojë atë rreth të ngushtë. Me shumë përkushtim kjo po vërehet se po ndodh sidomos nga kandidatët e partive të mëdha.

Fushatë me rrena të njëjta

Megjithëkëtë, askush nga partitë politike nuk ka deklaruar sesa ka buxhet për të organizuar fushatën. E, arsyetimi për këtë jepet se është ende herët të dihet parallogaritja për fushatën. Partitë politike vazhdojnë të fshehin financimet e fushatave dhe tubimeve elektorale. Dy muaj nga zgjedhjet e nëntorit, partitë në pozitë dhe ato opozitare ende nuk e dinë sa do t’iu kushtojë fushata, nëpër komuna.

Të dhënat e organizatave jo qeveritare tregojnë se partitë politike shpenzojnë me miliona- miliona euro nëpër fushata në shumë raste duke mos ditur burimin e atyre financave, pranojnë financa nga bizneset që përfitojnë tenderë nga qeveria dhe institucionet tjera, nuk e respektojnë ligjin për financim sa i përket mbajtjes së faturave, pranojnë donacione në shumë më të madhe se sa e lejon ligji si për persona fizik ashtu edhe juridik etj…/zeri/