Fullani injoron fletëthirrjen e organit të akuzës, e gjithë kupola e BSH kërkohet në prokurori

Fullani injoron fletëthirrjen e organit të akuzës, e gjithë kupola e BSH kërkohet në prokurori

Fullani injoron fletëthirrjen e organit të akuzës, e gjithë kupola e BSH kërkohet në prokuroriThellohet skandali në Bankën e Shqipërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i identifikuar si përgjegjësi kryesor për vjedhjen e 7.1 milionë USD në thesar, nuk njeh prokurorinë shqiptare.

Pas refuzimit për t’iu përgjigjur Kuvendit të Shqipërisë, guvernatori Ardian Fullani ka injoruar edhe fletëthirrjen e prokurorisë, për të dhënë sqarime dhe dëshminë e tij, sa i takon vjedhjes së thesarit të Bankës së Shqipërisë. Duke e konsideruar vjedhjen e bankës një çështje të mbyllur dhe me natyrë private, Fullani ka vendosur të sfidojë hapur organin e akuzës dhe Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas burimeve, guvernatori nuk ka dhënë asnjë sinjal nëse do të paraqitet apo jo në prokurori që pasi është njohur me thirrjen për t’ju përgjigjur pyetjeve të prokurorëve. Ndërsa e gjithë kupola e Bankës së Shqipërisë pritet të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës, Fullani po lëviz çdo gur, për të qëndruar jashtë hetimeve, thua se nuk e lidh asgjë me Bankën e Shqipërisë. Sipas burimeve, Fullani ishte planifikuar të merrej në pyetje brenda kësaj jave, por zbërthimi i Fullanit në hetuesi mund të shtyhet deri në shtator, nga manovrat që po ndërmerr guvernatori, për të fituar kohë dhe sajuar alibi, me qëllim për të shpëtuar nga ngritja e ndonjë akuze.

Javën e kaluar, Prokuroria e Tiranës firmosi fletë-thirrjen për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, për të dhënë shpjegime mbi skandalin e vjedhjes së shumës prej 713 milionë lekësh nga Thesari i Shtetit në Linzë. Zyrtarë të lartë në Prokurorinë e Përgjithshme, thanë se guvernatorit Fullani i është dërguar “ftesë për paraqitje”, pasi nuk është person i dyshuar apo nën hetim. Ftesë për paraqitje është firmosur edhe për të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për zëvendëskryetaren Elisabeta Gjoni, që është njëkohësisht dhe zëvendësguvernatore e bankës, si dhe për anëtarët, Petraq Milo, Dhori Kule, Ela Golemi, Ermelinda Meksi dhe Ardian Civici.

Rezervat kesh
Organi i akuzës ka dyshime për një vjedhje të mundshme në rezervat e parasë cash, të magazinuara në Bankën e Shqipërisë. Rezervat ruhen në ambientet e sigurisë më të lartë, por të tilla u konsideruan edhe sektorët e tjerë, ku u vodhën paratë e shqiptarëve. Konkretisht, paratë u vodhën në Arkën Stok, Arkën për Veprim dhe Dhomën e Transitit të Parave. Në këto tre sektorë, paratë janë vjedhur me anë të dy skenave. Por, ka dyshime se vjedhja shtrihet deri tek thesari më i rëndësishëm, që janë rezervat e parave në ambientet e sigurisë së lartë në Bankën e Shqipërisë. Ky sektor mësohet se është kthyer në mollë sherri mes prokurorisë dhe Bankës së Shqipërisë. Kupola e kësaj të fundit, pretendon se ky sektor, më i rëndësishmi i BSH, nuk është prekur, ndërsa organi i akuzës kërkon të zgjerojë hetimet, për të verifikuar gjendjen e parave cash.

Refuzimi i Kuvendit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka refuzuar të përgjigjet para Kuvendit për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, duke e konsideruar skandalin një çështje të mbyllur. Skandali është denoncuar dje nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, njëherësh dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, i cili ka deklaruar se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka refuzuar të japë informacion për këtë komision. Deputeti socialist thotë se Kuvendi ka tagrin për t’u marrë me vjedhjen historike në BSH, por sipas tij Fullani hesht dhe e quan këtë një çështje të mbyllur. Ai zbulon se i ka kërkuar Guvernatorit të BSH informacion lidhur me vjedhjen në institucionin më të lartë financiar në vend, dhe Fullani ka refuzuar të japë.