|

FSK-ja lyp hua fishekë nga Policia

Ajo që shihet si ushtria e ardhshme, Forca e Sigurisë e Kosovës, po planifikon që këto ditë të mbajë një ushtrim për të demonstruar përgatitjet e saj. Mirëpo ka hasur në një problem – nuk ka fishekë. Për ta zgjidhur këtë i është drejtuar Policisë së Kosovës, nga e cila ka kërkuar hua 20 mijë fishekë të kalibrit 9 milimetra.

Për të rregulluar këtë çështje, burime  brenda Policisë kanë bërë të ditur se udhëheqësit e Forcës së Sigurisë të Kosovës janë takuar të hënën në një takim të shkurtër me menaxhmentin e Policisë, nga të cilët ka kërkuar që t’u huazohen fishekët.

“Kanë kërkuar hua 20 mijë fishekë dhe kanë garantuar se do të na i kthejnë në të ardhmen. Ne natyrisht që kemi gjetur mirëkuptim dhe në ditët në vazhdim do të kryhen procedurat e huazimit të kësaj sasie të fishekëve”, ka thënë burimi i gazetës.

Nga ana tjetër zyrtarët e FSK-së kanë mohuar të kenë kërkuar fishekë nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi i FSK-së, Enver Dugolli, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

“Unë bisedova me ata që janë në rrjedha dhe thanë se kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë shkurt nëpërmjet telefonit zëdhënësi Dugolli. Ai madje nuk ka dashur të flasë as për ushtrimin e FSK-së.
Mirëpo zyrtarët e Policisë së Kosovës e kanë konfirmuar kërkesën e Forcës së Sigurisë për huazimin e fishekëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka thënë se gjatë një takimi në mes të eprorëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Policisë së Kosovës është diskutuar për nevojat e FSK-së për disa fishekë për ushtrime. Mirëpo, sipas tij, FSK-ja akoma nuk e ka përcjellë te Policia e Kosovës kërkesën me shkrim për një gjë të tillë.

“Së pari ata duhet të bëjnë kërkesën dhe edhe nëse do t’i kishim ndihmuar kjo nuk është hera e parë, sepse edhe në të kaluarën e kemi ndihmuar FSK-në, për shkak se janë institucione për siguri”, ka thënë Beka.
Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë e re e sigurisë, e uniformuar dhe e armatosur lehtë. Procesi i ndërtimit të kësaj force është duke u udhëhequr nga NATO-ja. Ajo parashihet  t’i ketë 2500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervë.

Misioni i FSK-së është reagimi ndaj krizave, fatkeqësive natyrore dhe rasteve të tjera emergjente si kërkim-shpëtimi, çminimi, asgjësimi dhe largimi i materialeve të rrezikshme, reagimi ndaj zjarreve dhe pjesëmarrja në misionet paqësore jashtë vendit.

FSK-ja është formuar pas procesit të shpërbërjes së TMK-së, ndërkohë që ende nuk i ka ndërtuar të gjitha kapacitetet.

Etiketa: , , , , ,

Komentoni