|

Fshihet raporti për ambasadorët

Ministria e Punëve të Jashtme ka më shume se një muaj që po e mban në “sirtar” raportin e vlerësimit të performancës së stafit diplomatik të Kosovës, duke mos informuar as Kuvendin e as Qeverinë për punën dyvjeçare të ambasadorëve.

Madje, vetë ligjvënësit që vijnë nga tabori i opozitës kanë vërejtje të theksuar në këtë dikaster, për të cilin mendojnë se funksionon krejtësisht i mbyllur.

Gazeta Zëri shkruan se është munduar për dy ditë të kontaktojë MPJ-në në lidhje me mospublikimin e raportit për vlerësimin e performancës së ambasadorëve por nuk ka pasur sukses.

Vlora Çitaku, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, një muaj më parë ka thënë për këtë gazetë se Komisioni i formuar nga MPJ-ja për vlerësimin e punës së diplomatëve ka përfunduar raportin dhe se tani, siç ka thënë ajo është në duart e ministrit të Punëve të Jashtme, presidentit dhe kryeministrit që të vendosin rreth stafit diplomatik.

Qeveria e Kosovës, respektivisht Kryeministria nuk ka dijeni për këtë raport të MPJ-së.

“Nuk e di që është bërë vlerësimi i ambasadorëve. Me këtë merret Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Edhe Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvend, i cili e ka pritur këtë raport tash e sa kohë nuk ka marrë asgjë akoma.

Etiketa: , , , , ,

Komentoni