Franca ngre mundësinë e përdorimit të forcës në Siri

Franca ngre mundësinë e përdorimit të forcës në Siri

Franca ngre mundësinë e përdorimit të forcës në SiriFranca thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet “duke përdorur forcën”, nëse vërtetohen pohimet e opozitës siriane se forcat qeveritare përdorën armë kimike gjatë një sulmi pranë Damaskut.

Aktivistët thanë se forcat siriane bombarduan sërish sot në zonën lindore të Ghouta-s, ku dje opozita akuzoi trupat qeveritare për vrasjen e shumë civilëve me armë kimike.

Ministri i jashtëm i Francës ngriti sot mundësinë e një reagimi “me forcë” në Siri, nëse vërtetohet se regjimi i presidentit Bashar Asad përdori dje armë kimike gjatë një sulmi pranë kryeqytetit. Por ministri Laurent Fabius përjashtoi përdorimin e trupave tokësore.

“Për çfarë reagimi e kam fjalën? Jo dërgim të trupave në terren. Megjithatë nuk mund të jetë vetëm dënim nga komuniteti ndërkombëtar, por duhet të jetë një reagim që të marrë formën e përdorimit të forcës.”

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutollu’ kërkoi gjithashtu që bashkësia ndërkombëtare të veprojë, duke thënë se në Siri është kaluar “vija e kuqe”.

Aktivistët e opozitës siriane thanë se forcat qeveritare kryen sërish sot sulme me bomba në Ghouta, zonë ku dje ata akuzuan trupat e Presidentit Assad për vrasjen e shumë civilëve me armë kimike.

Qeveria siriane i ka mohuar akuzat për përdorim të armëve kimike. Ajo thotë se opozita po përpiqet të zhvendosë vemendjen e inspektorëve të OKB-së, të cilët ndodhen në vend për të hetuar akuzat e qeverisë se kryengritësit kanë përdorur armë kimike pak kohë më parë.

Dje, Këshilli i Sigurimit zhvilloi një seancë urgjente për të diskutuar gjendjen në Siri. Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Jan Eliasson shprehu shqetësim lidhur me akuzat e reja dhe tha se zyrtarët po diskutojnë me qeverinë siriane mundësinë për të shkuar në vendin e ngjarjes.

“Pa dyshim që ne e shohim të nevojshme të hetojmë këtë çështje sa më shpejt. Kemi të bëjmë – pavarësisht se cilat do të ishin përfundimet – me pasoja serioze humanitare. Shpresojmë t’i kryejmë këto hetime,” tha zoti Eliasson.

Lidhja Arabe dhe fuqitë perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, i kërkuan gjithashtu qeverisë siriane të lejojnë inspektorët e OKB-së të fillojnë menjëherë hetimet.

Shtëpia e Bardhë tha se është “thellësisht e shqetësuar” lidhur me akuzat e opozitës dhe bëri thirrje që përgjegjësit e përdorimit të armëve kimike të vihen para përgjegjësisë.