“Forca e energjisë pozitive” për ta luftuar satanin
Ai thotë se luftimi i satanit është sfida e shekullit. E këtë duket se e beson përnjëmend. Bën thirrje për të lutur perëndinë dhe pretendon se libri i tij është udhërrëfyes për ata që do të mbijetojnë.
Fatmir Muçolli beson se koha e dashurisë së perëndisë për njerëzimit po afrohet. Këtë besim, bashkë me disa përjetime të jetës së tij, i ka përmbledhur në libër.
“Forca e energjisë pozitive – Alternativë e mbijetesës” titullohet libri që u promovua të martën në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Kosovës. Ceremonia e përurimit sikurse edhe ato që u thanë në të nuk ishin fort të zakonshme. Autori i librit, para se t’u drejtohet të pranishmëve, iu lut perëndisë. E gjatë fjalimit nuk rezistoi pa shpërthyer në lot.
“E di se njerëzimi ende beson dhe se jam i vetëm në këtë besim. E di se satani i ka bllokuar të gjithë njerëzit që nga kryetarët, gjykatësit, gazetarët, deri te njerëzit e thjeshtë dhe për momentin ata i besojnë satanin dhe po e jetojnë jetën nën presionin e tij. Por do të ndodhë diçka që njerëzimit do t’ia kthejë besimin te energjia pozitive”, ka thënë Muçolli me rastin e promovimit të librit. “Koha e dashurisë së Perëndisë për njerëzimin po afrohet”, ka porositur ai.
“Forca e energjisë pozitive…” sipas autorit përfshin kujtime dhe sfida nga jeta e tij në Kosovë, Gjermani e Zvicër.
Mbështetje për mendimet e tij pozitive, Muçollit, me rastin e promovimit të librit i dha edhe Daut Demaku.
“E kemi për detyrë ta shfletojmë dhe të shohim faqe për faqe se cila është porosia e autorit. Duke nisur nga parathënia takohemi me mendimin pozitiv të autorit kur thotë se liria e njeriut vjen atëherë kur nuk kemi pikë urrejtjeje, xhelozie, rrene e mashtrimi”, ka thënë Demaku.
Sipas Demakut, mendimet që Muçolli i ka prezantuar në libër, janë origjinale dhe nuk janë hasur te autorët e huaj.
“Uroj që të kemi sa më shumë libra të tillë”, ka thënë ai.
Xhemë Karadaku, udhëheqës i shtëpisë botuese “Ura” që ka publikuar librin, njëherësh edhe redaktor i “Forca e energjisë…”, po ashtu nuk ka kursyer fjalët më të mira për librin.