f1_fmn1339488121

FMN-ja kërkon klauzolë në Ligjin për pensionet e FSK-së

Qeveria e Kosovës nga një “nxënës i keq”, i cili edhe ishte përjashtuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është kthyer në një nxënës të mirë. Një mision i FMN-së që ka qëndruar për dy javë në Kosovë ka konstatuar se politikat makroekonomike dhe financiare janë në rrugë të duhur. Shumica e kritereve strukturore janë përmbushur, përpos atij për përfshirjen e një klauzole në Ligjin për pensionet e FSK-së që mundëson kontrollimin e kostos së këtij ligji në rast nevoje.

Udhëheqësi i këtij misioni të FMN-së, Johannes Wiegand, ka thënë se në përgjithësi Kosova i ka realizuar kushtet dhe detyra e saj deri në këtë kohë, përjashtuar disa vonesa në procedim të ligjeve.

Ai ka thënë se misioni ka arritur marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet, për një pako të politikave që synon të mundësojë kompletimin e shqyrtimit të parë të marrëveshjes “Stand By”.

“Ne presim të finalizojmë “Letrën e qëllimit”, e cila e përmbledh këtë marrëveshje për t’i mundësuar Bordit Ekzekutiv të FMN-së që të marrë në konsideratë kompletimin e shqyrtimit të dytë të marrëveshjes në muajin korrik. Kompletimi i këtij shqyrtimi do t’i mundësojë Kosovës tërheqjen e shumës prej SDR 39.108 milionë euro (rreth 46 milionë euro)”, ka thënë Wiegand në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave pas përfundimit të misionit të FMN-së.

Ai ka thënë se caqet e vendosura nga FMN-ja që kanë pasur të bëjnë me bilancin bankar, atë primar, shpenzimet primare dhe kushte tjera tanimë janë finalizuar.

“Politikat makroekonomike dhe financiare në Kosovë janë në rrugë të duhur”, ka thënë ai, por duke shtuar se ende nuk janë përmbushur kushtet e FMN-së sa i përket Ligjit për pensione të FSK-së dhe sigurimin e depozitave.

“Shumica e kritereve strukturore janë përmbushur gjithashtu, ndonëse në një rast ( Ligji për pensionet e FSK-së) kriteri strukturor i vazhdueshëm për përfshirje të një klauzole standarde që mundëson kontrollimin e kostos në të gjitha ligjet e reja që krijojnë beneficione nuk është respektuar. Masa korrigjuese po ndërmerren në këtë drejtim. Kriteri strukturor i fundit të majit lidhur me dorëzimin në Kuvend të Ligjit të rishikuar për sigurim të depozitave pritet të përmbushet me një vonesë të vogël”, ka thënë Wiegand.

Por, ai ka thënë se rritja ekonomike e paraparë për këtë vit nuk është rishikuar fare dhe ka mbetur në nivel prej 3.8 për qind.

“Kosova nuk ka qenë shumë e ndikuar nga kriza evropiane, për shkak të qasjes së limituar. Ne vazhdojmë të mbështesim mbajtjen e bilanceve bankare dhe forcimin e politikave të masave strukturore”, ka thënë ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se është arritur pajtueshmëri sa i përket rishikimit të parë të marrëveshjes stand-by.

“Si rezultat i kësaj presim që të përmbyllim “Letrën e qëllimit”, në mënyrë që të plotësohet procedura që Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të aprovojë shqyrtimin e parë të Marrëveshjes. Përfundimi i këtij shqyrtimi siç dihet do t’i mundësojë Kosovës tërheqjen e pjesës tjetër të mjeteve financiare prej FMN-së (shuma prej 39.1 milionë SDR)”, tha ministri Hamza.

Ai ka thënë se janë duke përcjellë me seriozitet zhvillimet ekonomike në rajon, por ka theksuar se sistemi bankar mbetet stabil dhe likuid.