ad

Fjalët na kanë humbur, natyra e dijes po ndryshon përsëri!

Ne lexojmë më shumë se kurrë më parë; sipas një studimi, tri herë më tepër sesa në vitin 1980. Por, po lexojmë në një mënyrë të ndryshme. Hidhini një sy një stacioneve të …

Fjalët na kanë humbur, natyra e dijes po ndryshon përsëri!

Mos veprimet tona me pajisjet elektronike po e topitin kapacitetin tonë për vëmendje të qëndrueshme dhe lexim më të thellë? A ka diçka të veçantë tek lidhja stilolaps-letër, që shtypja me tastierë nuk arrin ta riprodhojë?

Nuk ka kthim pas. Ekranet digjitale janë këtu. Por, nëse ato ndikojnë në mënyrën sesi lexojmë dhe shkruajmë, ne kemi nevojë të dimë sesi mund të maksimizojmë përfitimet dhe minimizojmë çdo dobësi. Këtë duhet ta marrim vesh para se të jetë vonë.

Ka një histori të gjatë e të tmerrshme, dhe shpesh të gabuar ose edhe me paralajmërime të kobshme mbi teknologjitë e reja. Rreth 2500 vjet më parë, Sokrati e përçmoi shpikjen e shkrimit duke thënë se ai do të na “hajë” kujtimet dhe do të na japë iluzionin e dijes dhe jo të së vërtetës. Në vitet ‘70, meraku i madh ishte tek përdorimi i makinave llogaritëse nëpër shkolla. Tanimë ka shqetësim mbi ndryshimet në shprehitë në të lexuar dhe shkruar.

Rreth një vit më parë, Pam Myler, një studente e doktoratës harroi të marrë laptopin e saj në një leksion, ndaj i duhej të rikthehej tek lapsi dhe letra.

“Ndjeva sikur mora më tepër nga leksioni i asaj dite”, thotë ajo.

Studentja ia tregoi këtë përjetim mbikëqyrësit të saj, Daniel Openhajmer. Disa ditë më vonë, derisa Openhajmer shkruante mbi laptopin e tij gjatë një simpoziumi, papritmas e kuptoi se ndonëse kishte regjistruar gjithçka që thanë njerëzit, nuk kishte asnjë ide se çfarë po flisnin ata. Kështu, dy psikologët vendosën të kryenin një seri eksperimentesh, duke krahasuar shënimet e marra me dorë me shtypjen në një kompjuter portativ. Ata zbuluan se nxënësit që morën shënime me dorë e kuptuan më mirë përmbajtjen e një leksioni, madje e kujtonin më shumë. Myler mendon se të shtypësh pa e patur mendjen aty, mund të regjistrosh më shumë materiale, por me koston e vëmendjes. Për shkak se shkruajmë shumë më ngadalë sesa mund të shtypim, shkrimi i dorës – marrja e shënimeve – i detyron njerëzit të punojnë përmes ideve, se si duhet të dëgjojnë dhe të zgjedhin konceptet që do të shënojnë.

Por, a janë shënimet e shtypura me makinë më të mira për të studiuar?

Kur studentëve iu kërkua të rishikonin shënimet e tyre dhe mbi to të zhvillonin një testim pas një jave, mbajtësit e shënimeve më dorë dolën më mirë në provim.

“Kjo do të thotë se nëse ju nuk e kuptoni atë për herë të parë, duke kërkuar përsëri mbi shënimet, më vonë nuk do t’ju ndihmojë shumë”, thotë Myler që mendon se prirja e studentëve për të përdorur laptopët është më problematike vetë pajisja.

Para se studimi i saj të publikohej në fillim të këtij viti, ka pasur një lëvizje në rritje në drejtim të ndalimit laptopit në salla leksionesh dhe klasa. Argumenti kryesor është i thjeshtë: kur ju keni një laptop të hapur para jush, është shumë joshës për të lundruar në internet, të kontrolloni e-mailin apo shikoni videon më të fundit që ka bërë bujë. Kjo e ka degraduar performancën jo vetëm për ju, por edhe për ata rreth jush që mbeten të hutuar derisa ekrani juaj paraqet informacione. Por, shpërqendrimi nuk është dukuri vetëm e klasave shkollore. Kjo mund të ndihmojë të shpjegohet se pse shumë studime sugjerojnë se leximi elektronik ka rezultate më të dobëta në të kuptuarit e tekstit.

Në tekste elektronike karakteristikat janë dashur të ndihmojnë nxënësit të mësojnë. Por, disa studime sugjerojnë se ato mund të shkëpusin vëmendjen. Duke klikuar mbi shumë lidhje, studentët mund të humbasin fillin e asaj që ishin duke u përpjekur të mësonin. Por, edhe pa lidhjet që shpërqendrojnë vëmendjen, duket se marrim më pak nga leximi në një ekran. Në epokën e ekraneve me prekje, cilësia e ekranit mund të jetë një faktor. Por, te modelet moderne rezolucioni mund të jetë i lartë dhe madhësia e tekstit mund të përshtatet. Derisa disa argumentojnë se shkëlqimi nga ekranet është i vështirë për sy, modelet e-ink lexuesve janë gjithnjë e më të krahasueshme me shtypjen e stilit të vjetër. Në një studim, Anne Mengen nga Qendra e Leximit në Universitetin e Stavangerit në Norvegji, kërkoi vullnetarë për të lexuar një histori misterioze në një tablet “Kindle DX” që ka një ekran e-ink, dhe në formë broshure.

“Ata që e lexuan historinë në letër ishin më të mirë në rindërtimin e komplotit, sesa ata që e lexuan tek tabletat”, thotë ajo. “Ishin gati dy herë më të mirë në vendosjen e 14 ngjarjeve të komplot në sekuencën e duhur”.

Përse duhet të jetë kështu?

Pjesërisht kjo mund të bëjë me atë se sa mirë ne mund të ruajmë kujtesën kur kemi lexuar. Në një libër apo revistë, ka mjaft të dhëna fizike që na ndihmojnë. Juve mund t’ju kujtohet, për shembull, që një pasazh i caktuar ishte rreth një e treta e faqes në libër, në gjysmë të faqes poshtë, në të djathtë. Por, kur përdorni një lexues elektronik, nuk e keni ndjesinë fizike se sa i gjatë është ai libër dhe se pozicioni i tekstit në një faqe zakonisht nuk është fiks. Nëse është kështu, ajo mund të na ndihmojë të provojmë rikrijimin e pamjes dhe ndjesinë e një libri të vërtetë – për shembull me margjina të mëdha që tregojnë më mirë se si janë lexuar shumë faqe dhe se sa mbeten për t’u lexuar. Por, tendenca për momentin është larg dizajneve skeuomorfike (që frymëzohen nga modeli origjinal).

A kanë rëndësi këto përfundime?

Kur vjen puna për të lexuar për kënaqësi, disa mund të thonë se ajo që ka rëndësi është angazhimi emocional në vend të asaj se sa mirë i kujtojmë detajet e një komploti. Asnjë ndryshim në reagimin emocional nuk u gjet në studimin krahasues mes leximit në Kindle apo një libri real. Në një tjetër studim, Mengen u kërkoi 145 studentëve të universitetit të lexonin një tregim për një ngjarje tragjike në një broshurë ose në një iPad. Kur u tha se ishte një histori e vërtetë, ata që e lexuan atë në një iPad kishin më pak të ngjarë të përjetonin ndjeshmëri të rritur ose “transportimin” – ndjenjën e përhumbjes në botën e rrëfimit. Ky studim dhe të tjerët sugjerojnë se ne marrim më shumë nga botimet e shtypura.

Shumë vetë shqetësohen, se kultura jonë e tanishme e leximit në internet – me reklama që shfaqen në cepat e faqes, hiperlinke që na tërheqin në gjysmë të rrugës, përmes një historie e kështu me radhë – po minon kapacitetin tonë për vëmendje të qëndrueshme e të nevojshme për një lexim të thellë. Shqetësime të tilla kanë nxitur formësimin e një lëvizjeje për “leximin e ngadaltë”. Ngjashëm, ekzistojnë shqetësime në lidhje mbi atë nëse shtypja në vend të të shkruarit ndryshon mënyrën sesi e trajtojmë dhe e kujtojmë informacionin.

Me fjalë të tjera, a po ndryshon mënyra se si mendojmë?

Për fëmijët e vegjël, përgjigja duket të jetë po. Mësimi i germave, duke shkruar ato me dorë, prodhon ndryshime të matshme në aktivitetin e trurit në krahasim me shtypjen e tyre në kompjuter. Megjithatë, se sa shtypja dhe leximi ndikon tek të rinj dhe të rriturit, është shumë më pak e qartë. Këto janë pyetje të vështira dhe të stërholluara për t’u studiuar, veçanërisht duke pasur parasysh evoluimin e shpejtë të teknologjisë. Por, me autoritetet arsimore që nxitojnë të marrin vendime të mëdha, të tilla si futja e tableteve në klasa apo ndalimin e laptopëve në salla leksionesh, përgjigjet janë urgjentisht të nevojshme.

“Është për të ardhur keq që kaq shumë pozicione të forta janë marrë mbi një bazë të cekët njohurish”, thotë Mangen e cila, në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëdha, është duke udhëhequr një projekt të madh katërvjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian (Evolucioni i Leximit në Epokën Dixhitale (E- Read), përfshin studiues nga 25 vende dhe do të nisë në fund të këtij muaji).

Gjithashtu, një studim i vitit 2011 nga Betsi Sparou zbuloi se kur njerëzit e dinë se mund ta shohin diçka edhe më vonë, ata kanë shumë më pak gjasa për ta kujtuar atë. Për më tepër, ata kanë prirjen të kujtojnë se si ta gjejnë atë që kanë dashur të mësojmë, më tepër se informacioni vetë.

“E kemi ndryshuar kuptimin tonë mbi atë që dëshirojmë që të mësojnë studentët tanë, apo ajo çka duam të mësojmë vetë, sepse teknologjitë tona thonë se ju mund ta shihni atë”, thotë Naomi Baron, autore e librit të ardhshëm “Fjalët mbi ekran: Fati i leximit në një botë digjitale”. “Nëse ka një stuhi e madhe dhe nuk ka energji elektrike, lidhja e internetit është prishur dhe bateritë në kompjuterin dhe iPhone tuaj janë shkarkuar – a do të dini gjë vallë?“.

Sokrati dikur ka pohuar se shkrimi do ta ndryshojë natyrën e dijes. Dhe, tani, në kohën e teknologjisë digjitale dhe qasjen e menjëhershme në internet, një gjë është krejtësisht e qartë: natyra e dijes po ndryshon përsëri.