Fitou: EULEX-i përgjoi sipas ligjit, Haradinaj në rol të ri

Fitou: EULEX-i përgjoi sipas ligjit, Haradinaj në rol të ri

Ambasadori francez në Kosovë, Jean François Fitou, ka thënë se përgjimi i kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të PDK-së ka qenë ligjor, dhe se çështja e aferës “Pronto” duhet të trajtohet në bazë të ligjeve në fuqi.

Një javë pas publikimit në media dhe rrjete sociale, ambasadori francez bëhet diplomati më i lartë në Kosovë që komenton mbi aferën ku kryeministri Hashim Thaçi së bashku me shefin e Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, e kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku, dëgjohen duke sharë, duke përzgjedhur anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave, duke e bërë punësimin e disa të afërmve të Grabovcit, dhe duke e ofenduar rëndë kryetarin e Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Në një prononcim për media, ambasadori francez nuk ka dashur që të flasë për përmbajtjen e bisedave të përgjuara, por ka komentuar mbi ligjshmërinë e tyre.

“Është e rëndësishme që Qeveria, qytetarët, mediet të kuptojnë nëse EULEX-i ka vepruar sipas ligjit. EULEX-i po thotë se ka vepruar sipas ligjit dhe kjo është ajo që e dimë”, ka thënë Fitou.

Ambasadori francez ka thënë se janë normale edhe përpjekjet për ndryshim të ligjit, nëse ai bëhet më i mirë.

“Unë e kuptoj se kjo mund të ketë interferim në lirinë e individëve. Në çdo vend kemi një balancë delikate mes përgjimit dhe privatësisë. Nuk më takon mua ta komentoj ligjin që ka Kosova, por nëse ligji duhet të ndryshohet për t`u bërë më i mirë për mbrojtjen e individëve, atëherë le të bëhet”, ka thënë Fitou.

Sipas tij, nëse dikush është përgjegjës për publikimin e përgjimeve, duhet të japë përgjegjësi.

“Nëse dikush është përgjegjës për rrjedhjen e këtyre informacioneve, atëherë natyrisht se ai duhet të sillet para drejtësisë dhe të jap sqarime për këtë”, ka thënë Fitou.

Kryediplomati francez në Kosovë ka komentuar edhe për lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe për kthimin e tij eventual në qeverisje.

“Haradinaj është pjesë e rëndësishme e politikës në Kosovë qe shumë vjet. Atij iu kërkua që të shkojë në Hagë, ndërsa tani ai është kthyer në Kosovë 100 % dhe unë e kuptoj se ai është i përgatitur për të luajtur rol, por nuk më takon mua që të formoj koalicion apo të shpërndaj postet e ministrave, por natyrisht Haradinaj është aset për Kosovën dhe ai do të luajë rolin e vet në politikën kosovare”, ka thënë ambasadori francez.

“Koha Ditore” ka raportuar muaj më parë se partia më e madhe e pushtetit, PDK-ja, po mendon që ta marrë në koalicion qeverisës edhe AAK-në me qëllim të përforcimit të koalicionit në kohën e dialogut me Serbinë.

Disa skenarë janë përmendur për krijimin e koalicionit të ri. Sipas burimeve të gazetës, krerët e të dyja partive tashmë e kanë përfunduar një plan që do të mundësojë koalicionin, që nga diplomatët ndërkombëtarë përshkruhet si koalicion i “të fortëve”.