f1_28tap1348824659

Firmoset në New York projekti i gazsjellësit TAP

Shqipëria, Italia dhe Greqia nënshkruan në New York një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi, i cili nëse miratohet nga një konsorcium investitorësh, do të lidhë tre vendet, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit për në Perëndim.

Marrëveshja për gazsjellësin Trans Adriatik ose TAP, u nënshkrua nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti dhe homologët e tij, ministri i Jashtëm italian, Giulio Terzi dhe ai grek, Dimitris Avramopulos.

Në ceremoninë e nënshkrimit që u zhvillua në misionin e Italisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ministrat e jashtëm e quajtën projektin mjaft të rëndësishëm për ekonomitë e vendeve të tyre.

Ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Panariti, tha se kalimi i gazjellësit në Shqipëri mund të krijojë shumë vende pune.

“Llogaritet se zhvillimi i këtij projekti do të krijojë 2 mijë vende të reja pune për Shqipërinë” shtoi ai.

Qeveria shqiptare parashikon që Gazjellësi Trans Adriatik të sjellë në Shqipëri një investim prej 2 miliardë eurosh. Konsorciumi për investimin në këtë projekt përfshin kompaninë zvicerave EGL, atë norvegjeze Statoil dhe gjermanen EON Ruhrgas.