|

Filmi i Jean Renoir ofron leksione për Europën edhe sot

Filmi “Iluzioni i Madh” 1937, luajnë Pierre Fresnay (majtas) dhe Erich Von Stroheim, (djathtas).

A. O. SCOTT, NYT – “Iluzioni i madh” u shfaq për herë të parë në Festivalin e Filmit të Venecias më 1937 dhe ka qenë në qarkullim që nga ajo kohë, i pranuar gjerësisht si një nga filmat më të mirë të të gjitha kohërave.

Fakti është që Joseph Goebbels, shefi i propagandës Naziste nuk e pëlqente këtë film, por nga ana tjetër, Mussolini, patroni i festivalit dhe udhëheqësi fashist i njohur gjithashtu si kinofil, mbajti një kopje të filmit në filmotekën e tij personale.

Franklin D. Roosevelt deklaroi se “të gjitha demokracitë e botës duhet domosdoshmërish ta shohin këtë film,” një rekomandim ky që vijon të jetë i vlefshëm. Kombet që listohen sot si demokratike mund të jenë shtuar në numër këto ditë, por asnjë prej këtyre demokracive, të reja apo të vjetra, nuk është imune ndaj leksioneve të kryeveprës anti-luftë të Jean Renoir.

Kjo nuk do të thotë se “Iluzioni i madh” është didaktik, megjithëse ai është, si shumica e artit të asaj epoke, joapologjik sa i takon implikimeve politike që mbart. Ky film vijon të mbijetojë pjesërisht si një dokument i atyre kohëve të luhatshme dhe idealizmit që vijoi të mbijetojë edhe pse historia po përgatitej për një raund të ri hororri. Shtatëdhjetë e pesë vjet më pas, Europa është shumë larg gjendjes së luftës por nën dritën e krizës aktuale, e cila nuk është vetëm ekonomike dhe politike, por gjithashtu, një krizë identiteti, filmi i Renoir është sërish i vlefshëm.

Në Francën e viteve ’30 gjendej Fronti Popullor, një përpjekje nga e majta për të luftuar ngritjen e fashizmit dhe kapërcyer edhe tendencën e së majtës drejt sektarizmit dhe orthodoksisë. Fytyra politike e Frontit qe Léon Blum, një socialist hebre i moderuar, i cili kur u bë kryeministër për një periudhë të shkurtër, përjetoi si i tillë prodhimin dhe publikimin e filmit të Renoir.

Vështirë se mund të jetë rastësi që miqësia më e madhe e “iluzionit të Madh” qe mes leitnantit Maréchal, një parisien me origjinë nga shtresa punëtore i luajtur nga Jean Gabin dhe Rosenthal, një hebre i pasur dhe asimiluar francez i luajtur nga Marcel Dalio. Ngjarja është vendosur gjatë luftës së Parë Botërore, (në të cilën Renoir shërbeu si pilot), kur Rasti Dreyfus qe ende një memorie e gjallë, por filmi kishte një interes të veçantë në për anti-Semitizmin dhe mitilantizmin punëtor si dhe një ndjesi të brendshme frike e parashikimi për konfliktet e pritshme botërore.

Filmi “Iluzioni i Madh” mund të ketë leksione të vlefshme për ish-presidentin Nicolas Sarkozy dhe kancelarin gjermane Angela Merkel

Renoir qe një njeri i së majtës dhe mbeti i tij përgjatë të gjithë karrierës që e çoi në Hollivud në vitet ’40, në Indi dhe sërish në Francë. Por ndërsa padrejtësitë, pabarazia dhe abuzimi me pushtetin janë probleme që ngrenë krye në çdo fazë të veprës së tij Renoir shumë rrallë e përdori kinemanë për të transmetuar mesazhe të thjeshta. Filmat e tij janë sensualë, të këndshëm dhe shumë informal pavarësisht mjeshtërisë së tyre.

Filmimet emblematike të Renoir mund të kenë vend për një copë panorame, njerëz që kalojnë kohën sëbashku me një gjendje shpirtërore që varion nga mërzia te mungesa e logjikës. Ata gjenden në një festë, duke dhënë një shfaqje, angazhuar në një diskutim apo duke marrë pjesë në detyrat apo qejfet e përditshme. Kamera lëviz në mes të tyre si një i ftuar kureshtar dhe i paturpshëm, duke e dërguar shikuesin në një intimitet shoqëror. Konfidencialitetet dëgjohen në sfond, shakatë ndahen me të gjithë dhe dallimi mes lojës dhe seriozitetit zhduket. Kritiku amerikan Andrew Sarris tha dikur: “shtigjet e lehta të sentimentalitetit dhe cinizmit nuk qenë kurrë joshëse” për Renoir, “dhe sinqeriteti i pa kompromis është një nga lavditë e kinemasë.”

Ky kualitet dhe sensibiliteti i ngrohtë demokratik që e shoqëron atë, janë nga arsyet se pse “iluzioni i Madh” mbetet, 75 vjet pas prodhimit, kaq i freskët. Një publikim i ri i dixhitalizuar sëfundmi nga një kopje e zbuluar 35 milimetërshe është hedhur në qarkullim por nuk është një zbulim apo rizbulim. Në fakt, ajo është një kujtim i shndritshëm i mënyrës se si një film absorboi momentin e vet historik dhe u shqetësua nga trashëgimitë e të shkuarës, të cilat mund të rezonojnë në një të ardhme që gjendet përtej një game imagjinate specifik.

Nuk është një çështje e thjeshtë e zbatimit të një teme universale. Humanizmi i Renoir gjithmonë i ka themelet te të veçantat dhe ndërsa karakteret e “Iluzionit të Madh” – kryesisht një grup të burgosurish francez të luftës dhe një oficer gjerman që është roja e tyre, – mund të kuptohen si tipa, ata janë në fakt tepër specifik, individë krejtësisht të ndryshëm. Rosenthal dhe Maréchal mund të përfaqësojnë një minoritet të shtypur dhe proletariatin, por ata janë aq shumë të trupëzuar nga Dalio dhe Gabin sa e shfaqin rëndësinë e tyre alegorike po aq lehtë sa edhe veshjet e trupit.

Erich von Stroheim, Jean Gabin dhe Pierre Fresnay te “Iluzioni i Madh” (1937)

Veç kësaj, zakoni i klasifikimit të njerëzve sipas etnicitetit apo klasës së tyre shoqërore identifikohet në film përmes mendimeve reaksionare mbi rendin e vjetër. I burgosuri francez i gradës më të lartë, Kapiteni de Boeldieu (Pierre Fresnay) është një aristokrat oficer karriere i cili duket e ka më shumë gjëra të përbashkëta me burgosësin gjerman se sa me shokët e tij të burgosur. Boeldieu dhe Kapitenin von Rauffenstein, (i luajtur nga regjisori gjerman Erich von Stroheim) e njohin njëri-tjetrin si anëtarë të një elite me zakone, shije dhe lidhje familjare përtej kufijve kombëtar. Kur krevatet e të burgosurve kërkohen për provat e një plani arratisjeje, Rauffenstein i kërkon Boeldieu fjalën e nderit se nuk ka asgjë për të fshehur, për shkak se ata kanë të njëjtin kod nderi. Por ai nuk mund të pranojë fjalën e “një Maréchal-i apo një Rosenthal-i.”

Treguesi i shpirtit bujar të Renoir është fakti që Rauffenstein dhe Boeldieu janë karikatura, të cilat ai nuk i tall. Renoir nuk do ta bënte dot të detyronte von Stroheim, një regjisor që ai e ngrinte në qiell, të luante rolin e një batakçiu Prusian dhe skenari i shkruar nga Renoir dhe Charles Spaak i hyn telasheve për të përforcuar aspektin tragjik të situatës së Rauffenstein. Dikur një pilot i guximshëm, ai qe plagosur rëndë në një aksident ajror dhe agonia e tij fizike amplifikon pesimizmin e tij. Ai parasheh një të ardhme që nuk ka vend për të dhe Boeldieu, një Europë që i përket njerëzve të llojit të Maréchals dhe Rosenthals.

Boeldieu e sheh gjithashtu se po vjen ajo kohë dhe e përqafon atë bashkë me shqetësimin e tij. Kjo është pjesërisht patriotizëm, një devocion ndaj kombësisë së përbashkët që lidh të burgosurit në pjesën franceze të burgut. Përveç punëtorit dhe hebreut gjendet edhe një intelektual – që i është dedikuar poetit grek Pindar, i cili nuk ka qenë kurrë i përkthyer siç duhet – si dhe një artist skenash që luhet nga komiku i madh Julien Carette.

Në mes të një lufte katastrofike dhe larg makthit të llogoreve, gazit helmues dhe asaj që ngjante si një vetëvrasje kolektive e të gjithë qytetërimit, ata jetojnë në një mikrokozmos paqësor të Europës. Kutitë e ndihmave mbërrijnë përplot me shijet e shtëpisë. (Në një skenë festive të burgosurit mblidhen në barrakat e rusëve, në pritje për të ndarë kaviar dhe vodka që pritet të dalë nga një kuti e sapoardhur. Por cari i ka dërguar ushtarëve të tij besnikë libra, gjë që krijon një rebelim komik.)

Shumë kohë harxhohet duke planifikuar dhe duke luajtur skeçe e shfaqje muzikore.

Jean Renoir

Titulli i filmit është marrë nga një libër i vitit 1909 nga Norman Angell, i referohet gabimit logjik që i paraqet ndarjet mes kombeve si shkaqe të luftërave të pashmangshme, një iluzion që është i stërmadh, por që nuk shikohet si fisnik.

Por, në retrospektivë, a nuk është gjithashtu thjeshtë një iluzion edhe mendimi se këto ndasi mund të kapërcehen përgjithmonë dhe se miqësia mund të zërë vendin e luftës? Historia e gjatë e Europës moderne – dhe veçanërisht ajo e Francës dhe Gjermanisë, që përbëjnë edhe lëndën bazë të filmit të Renoir përfaqësojnë një dramë të jetës reale të kontinentit – një rrugë e shkurtër mes ëndrrës së bashkësisë dhe makthit të konfliktit. Renoir gjurmon të dyja mundësitë te një burim i përbashkët i ndjesive dhe aspiratave të zakonshme njerëzore. Kjo është arsyeja se pse këshilla e Roosevelt është shumë mirë të ndiqet, si nga shtetarët, ashtu edhe nga qytetarët./gazeta-shqip

Etiketa:

Komentoni