Filmat e Kosovës mbesin larg “Berlinales”

Filmat e Kosovës mbesin larg “Berlinales”

Filmat e Kosovës mbesin larg “Berlinales”Nikoqirllëku për seleksionuesit e festivalit prestigjioz gjerman, nuk bëri punë për kinematografinë kosovare. Në vitin që shënon edicionin e 63-të, “Berlinale” ka lënë jashtë garës filmat nga Kosova, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në ueb faqen zyrtare të festivalit prestigjioz janë publikuar emrat e filmave të nominuar për çmimet e festivalit, por aty nuk figuron asnjë projekt filmik kosovar.

Në nëntor të vitit të kaluar, në Kosovë, për tri ditë kishin qëndruar seleksionuesit, Nikolaj Nikitin dhe Bernd Buder, të cilët kishin parë më shumë se dyzet filma që janë prodhuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Detyra e tyre ishte që të përzgjedhin filmat nga shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, në fazën paraseleksionuese për “Berlinale”. Nga Kosova, në Berlin kishin dërguar emrat e dy filmave të shkurtër “Kati i pestë” të Ben Apollonit dhe “Gjermant na kanë tutën” të Alban Mujës. Asnjëri nga dy filmat nuk ka arritur të ua mbush mendjen e seleksionuesve qendrorë. Në mesin e filmave për paraseleksionim që ka parë dyshja e “Berlinales” kanë qenë tre filma të gjatë (“Heroi” i Luan Kryeziut, “Njerëz të tepërt” i Arben Kastratit dhe “Gone back” i Ernest Mehollit) dhe pesë filma shkurtër të mbështetur nga QKK-ja.

Organizatorët e “Berlinales” për sivjet kanë përzgjedhur 27 filma të shkurtër nga 20 shtete, që do të agrojnë për “Ariun e Artë” dhe “Ariun e argjendtë” në kategorinë e filmave të shkurtër. Në mesin e tyre ka filma nga Spanja, Korea, Gjermania, Suedia, Japonia, Serbia, Siria, Franca.

Faktin se filmat nga Kosova nuk janë përfillur nga “Berlinale”, kineastët në Kosovë e arsyetojnë në mënyra të ndryshme.

Ben Apolloni, autor i filmit “Kati i pestë” që ishte realizuar në kuadër të festivalit “Nine Eleven”, ka pohuar se “Berlinale” i ka kthyer përgjigje negative. Sipas tij, kjo, ka të bëjë me kualitetin e filmave që prodhohen në Kosovë.

“Filmi nuk është selektuar në fazën finale dhe unë kam marrë njoftimin zyrtar nga ‘Berlinale’. Jam i bindur që ne ende nuk kemi kualitet të prezantohemi në festivale të tipit të ‘Berlinales’”, ka thënë Apolloni, derisa ka dhënë një porosi për kolegët e tij. “Duhet të punojmë më shumë nëse duam të arrijmë të futemi në mesin e filmave garues”, ka shtuar ai.

Ndryshe nga Apolloni, autori i filmit “Gjermant ma kanë pak tutën”, Alban Muja, lënien jashtë garës së “Berlinale” e lidh me shijen. Në vitin 2010, me filmin “Unplay (Play girl)” të realizuar në bashkëpunim me artisten suedeze Joana Ritel, ai ishte nominuar në mesin e filmave të kategorisë së shkurtër.

“Kur e krahasoj me 2010-ën, unë besoj që çdo edicion i një festivali siç është ‘Berlinale’ fokusohet në ndonjë temë ose koncept. Atëherë na patën ftuar pa e pritur”, ka thënë Muja, derisa është ndalur edhe te gara e sivjetme.

“Sa i përket asaj që sivjet nuk janë seleksionuar asnjëri nga filmat nga Kosova, nuk besoj që ka të bëjë me kualitetin edhepse te ne ka mungesë të cilësisë. Besoj që nuk janë përshtatur me konceptin e sivjtme të festivalit”, ka thënë ai.

Arben Zharku, kryetar i Bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se përzgjedhja e filmave është çështje e selektorëve.

“Ne do të kishim pasur dëshirë që filmat nga Kosova të përfshihen në garë por kjo është çështje e selektorëve që e bëjnë programin. Është edhe çështje e shijes”, ka thënë Zharku.

Megjithatë, sipas Zharkut, Qendra Kinematografike e Kosovës, do të përfaqësohet me shtandin e vet në “Berlinale” ashtu siç bëri edhe vitin e kaluar.

“Ne do të shkojmë t’i promovojmë filmat që kemi bërë dhe do të prezantohemi me Arta Dobroshin të cilën QKK-ja e ka nominuar për ‘Shooting Star 2013”, ka thënë Zharku.

Regjisorja Blerta Zeqiri, e cila me filmin “Kthimi” vitin e kaluar mori mbi dhjetë çmime në festivale ndërkombëtare, ka thënë se festivalet si “Berlinale” i kanë rregullat e veta dhe është vështirë të depërtohet.

“Është goxha e vështirë sidomos në kategorinë e filmave të shkurtër ku selektohen më pak filma. Megjithatë, unë mendoj se ka filma të mirë nga Kosova dhe është e çuditshme sesi selektohen në ndonjë festival, por jo në një tjetër”, ka thënë Zeqiri.

“Është çështje shijesh”, ka shtuar ajo.

Në vitin 2011, Ilire Vinca dhe Çun Lajçi u bënë aktorët e parë nga Kosova që shkelën në tepihun e kuq të “Berlinales”. Ata kanë qenë pjesë e kastës së filmit “Falja e gjakut” me skenar të Andamion Murtaj dhe regji të Joshua Martson, një produksion shqiptaro-amerikan i cili në edicionin e 61-të të festivalit, ka fituar “Ariun e argjendtë” për skenarin më të mirë dhe është shpërblyer me çmimin “Special Mention” nga juria e pavarur ndërkombëtare.