Dick Marty

Fillon debati rreth raportit të Martyt

Senatori zviceran Dick Marty ka prezantuar raportin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ky raport pritet që të dalë në votim pas orës 16:00, ndërsa mësohet se dhjetëra qytetarë janë duke protestuar para Asamblesë kundër raportit të Martyt, në lidhje me trafikun e organeve të kryera sipas tij në një shtëpi në rrethin e Matit, që Carla Del Ponte në librin e saj e etiketon si “shtëpia e verdhë”.

Gjatë fjalimit të tij, Marty ka deklaruar se raportin e ka hartuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të vënë drejtësi për viktimat e këtij trafiku.

“Raporti nuk flet për statusin e Kosovës, nuk flet për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve dhe për krimet e Milloshevicit. Ai është një raport që flet për shkelje të të drejtave të njeriut. Ka pasur kombe dhe shtete që janë ndjerë të fyer, por këtë unë e kam bërë për të afërmit e viktimave dhe për dënimin e kriminelëve”, ka deklaruar Marty.

Më pas ai ka denoncuar edhe eliminimin, sipas tij, të dëshmitarëve që mund të konfirmonin akuzat në raportin e tij. “Dëshmitarë nga pala serbe apo shqiptarë janë zhdukur dhe këto fakte ne nuk mund t’i anashkalojmë”, citohet të ketë thënë Marty, duke përfshirë në fjalimin e tij edhe Shqipërinë, ku, sipas tij, kryheshin transplantim organeshe.

Ndërkaq, gjatë fjalimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE), deputeti shqiptar Shpëtim Idrizi ka hedhur poshtë raportin e Dick Marty rreth trafikimin më organe njerëzore. Ai e ka quajtur raportin si një regji ruse, ndërsa e ka ftuar senatorin zviceran që të publikojë dëshmitë e tij.

“Sot është një tjetër raport, i iniciuar nga Rusia, i mbështetur nga Serbia, me qëllim që të sulmojë BE-në, SHBA, UÇK-në dhe Hashim Thaçin. Raporti juaj nuk mund të gjejë asnjë të vdekur që i janë marrë organet. Ju ftoj të publikoni intervistat që janë bërë”, ka deklaruar Idrizi. Sipas tij, ky raport është një vazhdim i politikës së Slobodan Milosevicit, për të barazuar viktimat me kriminelët e luftës. “Organet nuk mund të vihen nga një trup në tjetrin. Ky raport është plot të pavërteta dhe në të shihet se kriminelët janë bërë baras me viktimat. Milosevici i ka përdorur këto fabrika për të fabrikuar këto të pavërteta dhe për të barazuar kriminelët me viktimat”.

Po ashtu, deputetë nga Turqia kanë mbrojtur qëndrimin e tyre se duhet të bëhen hetime në lidhje me këtë çështje por kanë kërkuar që të mos paragjykohet dhe formulimi i rezolutës është i papranueshëm. Sipas deputetëve të këtij shteti, ata nuk pajtohen me përmbajtjen e kësaj rezolute për të cilën thonë se është shumë paragjykuese.

Por në përgjithësi, pjesa dërmuese e anëtarëve janë duke i dhënë mbështetje rezolutës dhe raportit të Dick Martyt.

Raporti i senatorit zviceran pritet të dalë në votim pas orës 16:00. Mediat raportojnë se i vetmi ndryshim që mund të ndodh, mund të jetë në titull ku do të përmendet edhe çështja e hetimit.
Ndryshe, bëhet e ditur se dhjetëra qytetarë shqiptarë janë mbledhur para Asamblesë së Këshillit të Evropës për të protestuar kundër raportit të Dick Martyt.