Filharmonia e Kosovës nisi koncertin në Japoni

Filharmonia e Kosovës nisi koncertin në Japoni

Në kuadër të turneut dyjavor të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në Japoni, dje në qytetin Okaya, u mbajt koncerti i parë, nga katër të parapara, i këtij turneu.

Në një sallë grandioze,  me 1.400 vende, për të cilën ishin shitur të gjitha biletat disa ditë më parë, orkestra e Kosovës,  e përforcuar nga disa instrumentistë japonezë, nën drejtimin e dirigjentit permanent të Filharmonisë, maestros Toshio Yanagisawa, u prezantua me tri vepra.

Anëtarët e orkestrës nga Kosova ishin, si asnjë herë më parë, shumë të  sigurt e të motivuar, dhe shihej se përgatitjet janë bërë në mënyrë shumë serioze. Në pjesën e parë u realizuan dy vepra të autorëve nga Kosova, të Baki Jasharit (Lottapace) dhe Valton Beqirit (In the Spirit of Tradition), dhe në pjesën e dytë si vepër qendrore e programit ishte ‘Requiemi’ i Moxartit.

Në realizimin e Rekuiemit madhështor të Moxartit, morën pjesë solistët Chiho Oiwa- soprano, Setsuko Takemoto-alt, Mitsuhiko Ono – tenor dhe Toshiya Inagaki – bas, solistë ndërkombëtarisht të njohur japonezë dhe Kori  i qytetit të Okayas, i cili numëronte  rreth 200 anëtarë. Koncerti përcillej me një broshurë të pasur, ku në ballë të saj  ishin fjalët e ministrit të Jashtëm japonez dhe ambasadorit të Kosovës në Japoni, z. Sami Ukelli.

Veprat e Jasharit dhe Beqirit u mirëpritën me simpati dhe me respekt nga auditori kurioz. Ishin këto realizime premiale të këtyre veprave të shkruara si porosi e dirigjentit Toshio Yanagisawa, pikërisht për këtë rast. Që të dyja këto vepra mbështetjen e kanë në folklorin shqiptar, i cili në momente ishte tepër i theksuar, por ishte bërë qëllimisht eksplicit, për të vetmen arsye që të transmetojë te publiku japonezë tingullin karakteristik të folklorit shqiptar.

Derisa te vepra e Jasharit trajtohej  mesazhi i luftës  dhe paqes në një formë dramatike, në veprën e Beqirit vihet në pah ritmika e pasur e folklorit shqiptar, që të dyja të shkruara për orkestër harkor dhe timpan (solist Patris Berisha).

Në mes të ekzekutimit të këtyre veprave u fol gjatë për Kosovën (biseda zhvillohej në mes prezantueses, që ishte një emër i njohur i kinematografisë  japoneze, dhe dirigjentit Yanagisawa). Flitej në mënyrë emocionuese për luftën e fundit në Kosovë, duke u evokuar madje disa ngjarje konkrete tragjike të saj. U fol për veprat e autorëve shqiptarë, dhe sidomos  për rolin që Filharmonia e Kosovës luan në jetën kulturore të Kosovës.

Duhet thënë se në rrjetin qendror televiziv ditë më parë kishte pasur prezantim dhe paralajmërim për këtë ngjarje kulturore, përmes storieve të xhiruara më parë nga ekipi i këtij televizioni në Kosovë, andaj vërehej te publiku një interesim për këto shpjegime jashtëzakonisht interesante dhe të pazakonta për një koncert të rëndomtë.
Një nderim i veçantë iu bë kompozitorit njëkohësisht drejtorit të  Filharmonisë së Kosovës,  z. Baki Jashari, duke e përcjellë atë në skenë me duartrokitje të gjata.

Përgjithësisht, mund të thuhet pa asnjë dyshim se  ishte një prezantim që tejkalon caqet e një ngjarjeje të thjeshtë kulturore, ishte një prezantim madhështor i realitetit të Kosovës.

Gjithsesi figurë qendrore e tërë këtij programi pamëdyshje ishte dirigjenti Toshio Yanagisawa, i cili është më meritori për realizimin e këtij projekti shumë të kushtueshëm,  që po realizohet me financimin dashamirës të palës japoneze dhe me ndihmën e çmueshme të  Ministrisë  së Kulturës së  Kosovës  dhe si pjesë  e  fushatës “Kosovo – the Young Europians”.

Turneu vazhdon nesër në dy qytete më të vogla (me solistë të tjerë dhe kor tjetër), pastaj me koncertin e fundit në Tokio. Koncertet mbahen në salla jashtëzakonisht të mëdha (deri në 2000 vende), me akustikë të mrekullueshme. Siç mësohet nga organizatori, edhe për koncertet e radhës janë shitur të gjitha biletat.