blater

FIFA i hap dyert hetimit të rryshfeteve

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, është duke përgatitur një kthesë të papritur të politikës së institucionit që ai përfaqëson, duke kërkuar që të publikohen në gjyq dokumente që mund të tregojnë se zyrtarë të lartë të FIFA-s kanë pranuar rryshfete. 

Në të shkuarën, institucioni më i rëndësishëm i futbollit botëror ka bllokuar vazhdimisht kërkesat e gazetarëve për të hyrë në brendësinë e dokumenteve të tilla.

Sipas asaj që raporton BBC, do të jetë vetë Blatter ai që do të kërkojë këtë ndryshim të politikës së FIFA-s, në një takim dy-ditor të Komitetit Drejtues, i cili do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Zvicër.

Dokumentet më interesante janë ato që lidhen me hetimin kriminal të falimentimit të një ish-partneri marketingu të FIFA-s, “International Sport and Leisure” (ISL). Pikërisht në dokumentat e dorëzuara pas falimentimit, ekzistojnë prova se zyrtarë të lartë të FIFA-s janë paguar për t’i dhënë kësaj kompanie të drejtat eksluzive të Botërorit të vitit 1990.

Një vit më parë, FIFA pati paguar 5,5 milion franga për të mbyllur çështjen dhe për të mbajtur sekret emrin e zyrtarëve të përfshirë.

Më parë gjatë vitit, FIFA u vendos në mes qendër të kritikave të ashpra, veçanërisht nga ana e Federatës Angleze, kërkesat e së cilës për të organizuar Botërorin e vitit 2018 ose 2022 u rrëzuan në favor të kandidaturës së Rusisë dhe Katarit, përkatësisht.