Fertiliteti, Europa në alarm

Fertiliteti, Europa në alarm

Fertiliteti, Europa në alarmEkspertët dhe studiuesit lëshuan alarmin për atë që e quajtën ulje drastike e fertilitetit në Europë. Kjo ulje është vërtetuar thuajse në të gjitha studimet e fundit të kryera në Kontinentin e Vjetër.

Në Londër u mbajt konferenca e radhës lidhur me fertilitetin. A janë të rinjtë e sotëm më pak fertilë se sa etërit e tyre vite më parë? Kjo është një pyetje kundërshtuese. Shumica e ekspertëve të pranishëm në këtë konferencë dhanë alarmin për atë që ata e quajtën “kriza e spermës”.

Megjithatë studiuesit e Shoqatës Europiane të Riprodhimit dhe Embrionologjisë janë ndarë në dy grupe mbi këtë cështje, ndërsa një analizë e fundit në Francë arriti në përfundimin se përqendrimi dhe cilësia e spermës tek meshkujt ka rënë me rreth një të tretën nga viti 1989 deri në vitin 2005.

Por jo vetëm ky studim, por edhe pjesa më e madhe e studimeve të kryera në vendet e zhvilluara të Europës arrijnë në përfundimin se në 15 vitet e fundit, numri meshkujve të shëndetshëm nga 18 në 25 vjeç ka rënë dukshëm.

Studiuesit fajësojnë për këtë jetën sedentare. Ata bëjnë thirrje për më shumë aktivitet fizik dhe ndërgjegjësim për prindërit që të edukojnë me kulturën fizike fëmijët e tyre.

Megjithatë, ekspertë të tjerë ngrenë pikëpyetje mbi këto studime. Ata thonë se ka ndryshime të mëdha mes shteteve dhe zonave të ndryshme të Europës, ndërsa për shumë zona të tjera nuk ka të dhëna fare.

Në disa prej tyre, flitet për ulje fertiliteti, por nuk ka asnjë të dhënë. Një ndër këto raste janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pranohet gjërësisht nga autoritetet shëndetësore në këtë vend se fertiliteti ka pësuar rënie mes amerikanëve vendas, por nuk jepen shifra për këtë.

Joelle Le Moal, epidemologe nga Instituti Francez i Shëndetit Publik rendit shkaqet kryesore të kësaj dukurie.

“Ekspozimi ndaj pesticideve apo kimikateve të tjera të rrezikshme dhe mënyra e jetesës, si qendrimi ulur për një kohë të gjatë sjell atë që ne e quajmë ‘kriza e spermës’, që ndikon në lindjen e fëmijëve me probleme shëndetësore e mendore. Nëse pasardhësit tanë nuk lindin në mënyrën e duhur, kjo mund të ketë efekt zinxhir në gjithë brezat e ardhshëm”, thotë doktoresha Le Moal.