fryma-e-re_fer

FER: Koalicioni i ri do ta thellojë krizën

Partia që nuk arriti ta kaloj pragun zgjedhor, Fryma e Re ka deklaruar të hënën nëpërmjet një deklarate për media se marrëveshja për koalicion mes PDK’së, AKR’së dhe minoriteteve, dëshmon se interesat e ngushta personale të disa politikanëve, për ta, janë më të rëndësishme se interesat e shtetit.

Kjo parti konsideron se koalicioni i cili po përgatitet për qeverisjen e vendit do ta shtyjë Kosovën në një krizë edhe më të madhe politike, sociale, ekonomike, e po ashtu edhe ndërkombëtare.

“Është ndoshta edhe ironik fakti se disa ditë pas festimit të trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vend se të flasim për të arriturat e Kosovës, flasim për dështimet; në vend se të flasim për një të ardhme të ndritur evropiane flasim për një izolim të tërësishëm të Kosovës, në vend se të flasim për forcimin e Republikës së Kosovës, flasim për rrezikun nga ndarja e territorit të vendit dhe në vend se të jemi shembull i demokracisë në Ballkan, jemi shembull i manipulimeve zgjedhore”, thuhet në deklaratë.

Sipas kësaj partie koalicioni i shumëfolur është shumë larg nevojave dhe prioriteteve të Kosovës.