basket_0908111010_1

FBK-ja heq dorë nga turneu i Belgjikës

 Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në basketboll nuk do të paraqitet në turneun ndërkombëtar “Flanders Basketball Trophy 2011” që më 20 e 21 gusht mbahet në Ghent të Belgjikës. Vendimin për të mos u paraqitur në turneun belg e mori të hënën Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës. 

FBK-ja më herët kishte vendosur që të dërgojë përfaqësuesen shpresa në Belgjikë. Madje, përzgjedhësi Arben Krasniqi javën e kaluar kishte caktuar basketbollistët të cilët do të paraqiteshin në këtë turne. Por, Bordi i FBK-së në mbledhjen e mbajtur të hënën vendosi që të anulojë pjesëmarrjen. Bordi e ka anuluar udhëtimin e përfaqësueses për shkak të kohës së shkurtër për përgatitje dhe për shkak të shpenzimeve të mëdha.

“Pas diskutimeve të shumta për pjesëmarrjen e Përfaqësueses së Kosovës në turneun e basketbollit ‘Flanders Basketball Trophy 2011’, me shumicë votash u mor vendim që të mos udhëtohet në Ghent të Belgjikës. Ky vendim u mor pasi për shkak të kohës së shkurtër, përfaqësuesja nuk do të jetë në gjendje të bëjë përgatitjet e duhura për prezantim të denjë të Kosovës në këtë turne, si dhe për shkak të shpenzimeve të cilat do të shkaktohen”, thuhet në vendimin e Bordit të FBK-së.

Në turneun e Ghentit paraqiten ekipe e përfaqësuese nga shumë shtete botërore. Garat nuk zhvillohen vetëm për basketbollistët deri 21 vjet, por edhe për kategoritë e tjera. Për shkak të izolimit basketbollistët e rinj kosovarë rrallë paraqiten në turne ndërkombëtarë.