FBI shmang “11 shtatorin” e dytë, arrestohen 3 veta

FBI shmang “11 shtatorin” e dytë, arrestohen 3 veta

FBI shmang “11 shtatorin” e dytë, arrestohen 3 vetaFBI-ja ka arrestuar 3 persona, të cilët pretendohej se do të fluturonin nga Nju Jorku drejt Turqisë, me shpresën për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri. Këtë konfirmon një padi penale e bërë e ditur gjatë një seance gjyqësore në një gjykatë federale të Brooklyn, në Nju Jork, gjatë së mërkurës.

Të dyshuarit, të identifikuar si Abdurasul Jaraboev, 24 vjeç; Akhror Saidakhmetov, 19 vjeç; dhe Abror Habibov, 30 vjeç; përballen të gjithë me akuzën, ndër të tjera, të dhënies së ndihmës materiale për terroristët, bënë të ditur autoritetet.

Personat pretendohen se kanë diskutuar edhe për kryerjen e sulmeve në Shtetet e Bashkuara, sipas letrave të zbuluara në gjykatë. Pjesë të planit të tyre për sulme u publikuan edhe online, sipas dokumenteve në seancë.

Njëri prej 3 personave të arrestuar në SHBA ka thënë se plani ishte të udhëtonin të mërkurën, të ‘merrnin peng fluturimin’ dhe ta devijonin atë drejt “Shtetit Islamik, në mënyrë që vetë militantët ekstremistë të siguronin një aeroplan”, sipas aktakuzës në gjykatën federale të Nju Jorkut.

Veç kësaj, në atë padi thuhet se njëri prej 3 të arrestuarve ka folur mbi mundësinë e të shtënave ndaj presidentit amerikan Barack Obama. I dyshuari Abdurasul Jaraboev akuzohet të ketë publikuar online se “A është e mundur të angazhohemi si martirë të dedikuar, në ndonjë mënyrë, për sa kohë jemi këtu? Ajo që dua të them është, të qëllojmë Obamën dhe më pas të vetëvritemi, a mund ta bëjmë diçka të tillë?”.

Sipas një bisede të regjistruar nga autoritetet, Saidakhmetov tha se nëse atij nuk do t’i mundësohej dokumentacioni i udhëtimit drejt Sirisë, “thjesht do të shkoj në një dyqan të blej një kallashnikov, do të dal jashtë dhe do të qëlloj ndaj të gjithë policëve”, thuhet në akuzë.

Saidakhmetov i kishte thënë një informatori se të mbaje armë në SHBA ishte e ligjshme. “Do të shkojmë të blejmë një armë, e më pas do të qëllojmë ndaj një oficeri”, është cituar të ketë thënë ai. “Pasi ta vrasim atë do t’i rrëmbejmë armën, plumbat dhe karikatorët, e më pas do të bëjmë të njëjtën gjë me disa të tjerë. Në fund do të shkojmë në zyrat e FBI-së për të vrarë disa prej tyre”. Nga sa mësohet, njëri prej tyre është arrestuar në Florida, ndërsa dy të tjerët në Nju Jork. (INA)