|

FBI-ja heton vdekjen e Dino Asanajt

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë në hetimin e shkaqeve që rezultoi me vdekjen e Dino Asanajt. Ambasada amerikane në Prishtinë ka njoftuar të premten, nëpërmjet një komunikate, se Byroja Federale e Hetuesisë (FBI) do të ofrojë ndihmë për zbardhjen e këtij rasti.

Në fakt, hetues të FBI-së janë implikuar prej ditësh në hetimin e rastit. Burime nga Policia kanë thënë se një grup hetuesish e ekspertësh kanë përcjellë nga afër hetimet, ndërkohë që pas zyrtarizimit të angazhimit të tyre do të kryejnë veprime konkrete hetimore.

Dino Asanaj ka vdekur të enjten e javë së kaluar në spital. Ai ishte gjetur në zyrën e tij në Hajvali, i therur dhe i prerë 11 herë me thikë. Autopsia e kryer nga tre ekspertë mjekoligjorë ka konstatuar se ai ka vrarë veten.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka orientuar të mërkurën organin e ndjekjes për pistat e hetimit që duhet zhvilluar rreth rastit të vdekjes së Dino Asanajt, kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Thaçi ka përmendur “shtytjen” dhe “shantazhet publike”.

Letra e gjetur në tavolinë flet për një akt vetëvrasjeje: “Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”.

Komentoni