limaj-fatmir

Fatmir Limaj braktis përfundimisht PDK-në

limaj-fatmirFatmir Limaj, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, njëri nga personalitetet kyçe të kësaj partie, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës është larguar përfundimisht nga PDK-ja.

Limaj duke folur në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, ka thënë se bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, janë në përgatitje e sipër për formimin e një partie të re.

“Nga viti 2012 unë më nuk e kam parë vetën pjesë të PDK-së. Pra, sot edhe publikisht dhe formalisht e them se e pushoj aktivitetin tim në PDK. Ne shumë shpejt do të dalim me një ofertë të re politike para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë jam njëri nga themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e kam Zotin dëshmitar se kam dhënë çka kam ditur e mundur për këtë parti. Kam besuar fuqishëm në vlerat e kësaj partie. PDK ka humbur disa herë radhazi zgjedhjet dhe asnjëherë nuk jemi dëshpëruar dhe zmbrapsur”, tha Limaj.

Ai shton se në PDK ka shumë të pakënaqur, por nuk tregon se kush janë figurat e kësaj partie që do t’i bashkëngjiten subjektit politik me të cili së shpejti do të dalë para elektoratit. Ai nuk ka dhënë shumë detaje për subjektin politik që do ta formojnë, as për orientimin e as emrin.

“Ne jemi duke u konsultuar dhe shumë shpejt do t’i bëjnë publike të gjitha detajet e subjektit të ri politik, që do të dalë në skenë”, tha Limaj.

Duke folur për zhvillimet në vend ka theksuar se për shkak të procesit gjyqësor që është zhvilluar ndaj tij, nga viti 2010 më shumë ka qenë vëzhgues, sesa pjesëmarrës i zhvillimeve në skenën politike të Kosovës.
Duke folur për debatet lidhur me personat e përfshirë në shërbime të ndryshme sekrete informative në ish-Jugosllavi dhe Serbi, si dhe rolin e tyre, Limaj thotë se refuzon logjikën e përbaltjes se njerëzve. Ai kërkon që me këtë çështje të merret Parlamenti dhe të dalë me qëndrim.