faruku_2308110954_1

Faruk Begolli kujtohet në katërvjetorin e vdekjes

Mjeshtri i filmit dhe i teatrit, Faruk Begolli, do të përkujtohet në përvjetorin e katërt të vdekjes. Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës, janë bërë bashkë për të kujtuar për herë të parë institucionalisht aktorin e njohur shqiptar. Begolli, i cili pushoi së jetuari në 23 gushtin e vitit 2007, deri më tani nuk është kujtuar me ndonjë ceremoni të tillë në përvjetorët e tij.

Artistë, miq, kolegë e dashamir të veprës së Begollit, do të mblidhen sot (e martë) në foajenë e TKK-së për të nderuar krijuesin që frymëzoi dhe udhëzoi disa breza aktorësh.

Drejtoresha e Teatrit Kombtëar të Kosovës, Burbuqe Berisha, ka thënë se jeta, vepra dhe kujtimi i artistit Faruk Begolli, janë personifikim i krenarisë artistike dhe i krenarisë kombëtare dhe frymëzim artsitik për të gjitha gjeneratat e ardhshme.

“Ka qenë kërkesë e ministrit të Kulturës të mos harrohen njerëzit që kanë kontribuuar për artin, por edhe ne si drejtorë të dy institucioneve keni dashur ta nderojmë atë pasi edhe kemi pasur fatin edhe të jemi student të Faruk Begollit”, ka thënë Berisha.

E pyetur përse nuk është marrë ndonjë iniciativë e tillë edhe më herët nga institucionet, Berisha ka larguar përgjegjësinë nga vetja.

“Nuk e di çka ka ndodhur më herët, por ne jemi munduar që të gjejmë një mënyrë t’i respektojmë ata që kanë vlera qoftë ata që nuk janë në mesin tonë apo edhe ata që janë gjallë”, ka thënë Berisha.

Ajo ka shpjeguar se ceremonia përkujtimore për Begollin nuk përfshin shfaqje të filmave të tij.

“Kemi dashur që ta kujtojmë me rolin e tij të fundit. Për këtë arsye në foajenë e teatrit do të ekspozohen kostumet e tij nga shfaqja ‘Mbreti Lir’”, ka thënë Berisha. “Po ashtu do të kemi edhe librin e përkujtimeve dhe ata që duan ta nderojnë mund të ngrenë edhe dolli për të”, ka shtuar ajo.

Faruk Begolli u lind në Pejë më 25 janar 1944. Studimet për aktrim i kreu në Fakultetin e Dramës në Beograd. Ka luajtur në mbi 70 filma, metrazhesh e zhanresh të ndryshme, duke u bërë kështu njëri ndër aktorët më të popullarizuar në ish-Jugosllavi. Për një kohë ka drejtuar edhe Shoqatën e Artistëve të Filmit të ish-Jugosllavisë. Për gati dhjetë vjet ka qenë drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë, ku ka bërë regjinë e mbi 20 shfaqjeve teatrore. Është themelues i Drejtimit të Aktrimit në kuadër të Degës së Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Për punën e tij si aktor është nderuar me mirënjohje të shumta në kohën e ish-Jugosllavisë, e po ashtu ka marrë mirënjohje të ndryshme kombëtare.