Fabrikë ilegale për prodhimin e pasaportave!

Fabrikë ilegale për prodhimin e pasaportave!

Fabrikë ilegale për prodhimin e pasaportave!Revista e përjavshme e në gjuhën maqedonase “Fokus” ka publikuar një video-incizim dhe disa fotografi ku shihet një banesë private e shndërruar në fabrikë për punimin e pasaportave maqedonase!

“Fokus” pretendon se pamjet janë të freskëta, të regjistruara gjatë një prej proceseve të fundit zgjedhore. Besohet se pasaportat janë shfrytëzuar nga një parti politike në pushtet për votim, edhe pse nuk ka dëshmi që e konfirmojnë këtë mundësi.

Por si është e mundur që një proces kaq kompleks i përgatitjes së pasaportave të kryhet në kushte shtëpiake? Siç shkruan “Fokus”, në vitin 2011 Ministria e Arsimit ka blerë 3 aparate AFIS që shërbejnë për shndërrimin e shenjave të gishtërinjve në të kodim elektronik, që përdoret më pas në pasaportë dhe letërnjoftim. Njëri prej 3 aparateve ka përfunduar në Ministrinë e Brendshme, ndërsa 2 të tjerët, që ishin destinuar për Radio Televizionin e Maqedonisë, thjesht janë zhdukur.

Policia thotë se askush deri tani nuk ka paraqitur në polici zhdukjen e aparateve AFIS dhe nuk është ngritur hetim ose procedurë për gjetjen e tyre. Dyshimet e javores “Fokus” janë se pikërisht këto dy aparate të zhdukura kanë përfunduar në këto laboratorë shtëpiakë për krijimin e pasaportave ilegale. Në video-incizimin dhe fotografitë e publikuar nga “Fokus” shihet se në këtë apartament privat përgatiten të gjitha faqet e pasaportave dhe kopertinat. Ka edhe një vulë, e ngjashme me atë të MPB-së, e cila përdoret në pasaporta.

Për shkak të cilësisë së dobët nuk vërehet nëse vula është identike me atë që përdoret në pasaportat origjinale, dhe nëse po, si ka përfunduar vula e MPB-së në duart e falsifikatorëve. Gjithashtu, në materiale që duken në fotografi, nuk shihen pjesët plastike biometrike të pasaportave, gjë që ngre dyshime nëse falsifikatorët e kanë porositur nga diku tjetër pjesën biometrike. Enigma tjetër që ngrihet pasi i vështron dëshmitë, është se për kë përgatiten pasaportat.

Njëra prej mundësive është se këto pasaporta mund të jenë destinuar për maqedonasit jashtë Maqedonisë, ata të Pustecit, goranët e Kosovës dhe të tjerë. Logjikish, kjo shpjegon edhe fitoren e VMRO DPMNE-së në zgjedhjet e fundit në diasporë, sidomos në Evropë, që u siguruan kryesisht nga vendvotimet në Tiranë dhe Prishtinë, ku doli në epërsi ndaj partive shqiptare. Mundësia tjetër është që këto pasaporta të jenë përgatitur në emër të shtetasve të Maqedonisë që punojnë dhe jetojnë në diasporë dhe që aktualisht posedojnë pasaporta të shteteve të huaja. Pasaportat mund të jenë përgatitur me të dhënat e tyre, por me fotografi të aktivistëve partiakë të cilët më pas kanë votuar në vendvotime të ndryshme në Maqedoni.

Alsat M kontaktoi sot Ministrinë e Brendshme lidhur me materialet e publikuara nga Fokusi, por zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski theksoi se as “Fokusi” dhe askush tjetër nuk kanë paraqitur në polici dyshime për përpunimin e paligjshëm të pasaportave, me dyshimet për përdorimin e tyre në zgjedhje. Lidhur me video-incizimin, Kotevski ironizoi duke thënë se secili mund të mbledhë pasaportat e familjes dhe të bëjë një incizim të tillë për të akuzuar apo diskredituar ndonjë parti politike, institucion ose person. Por, duke u bazuar në materialet e publikuara, duket se bëhet fjalë për një familje vërtetë të madhe, sepse në videot dhe fotografitë shihen qindra pasaporta dhe materiale të tjera për krijimin e tyre.