Evropa “në prag të luftës”

Evropa “në prag të luftës”

Evropa “në prag të luftës”Novelisti më i shquar i Rusisë i ditëve të sotme ka paralajmëruar të enjten se pushtimi i Ukrainës nga Vlladimir Putin përbën një “vrimë të zezë” që kërcënon të gëlltisë tërë Evropën.

Në një kolumne të shkruar për The Guardian, Mihail Shishkin thotë se agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka lënë kontinentin e Evropës në prag të luftës. Ai thotë se për dallim prej rusëve të tjerë – të mësuar që të presin dhunë nga propaganda e pamëshirshme shtetërore – evropianët ende nuk e kanë kuptuar “realitetin e ri që tashmë ka lëshuar rrënjë”, transmeton gazeta Tribuna.

Shishkin konsiderohet nga shumë njerëz si autori më i madh i gjallë i vendit të tij. Ai është i vetmi shkrimtar bashkëkohor që i ka fituar që të tri çmimet më prestigjioze letrare të Rusisë. Banor i Zvicrës, ai është përballur me urrejtje të madhe pasi kishte refuzuar që të merrte pjesë në një turne letrar të sponsorizuar nga Kremlini në Shtetet e Bashkuara. Shishkin kishte thënë se nuk donte të përfaqësonte një vend ku “pushtetin e ka kapur një regjim i korruptuar kriminal”.

Shishkin, nëna e të cilit është ukrainase, ndërsa babai rus, e përshkruan presidentin e Rusisë si “një njeri shumë i vetmuar në plakje e sipër”, dhe si “një kolonel i zbarët”, që ka frikë se do të humbë pushtetin. Ai thotë se “rënia e Husseinit, Mubarakut dhe Gaddafit” dhe arratisja e ish-udhëheqësit të Ukrainës, Viktor Janukoviç, e ka tmerruar Putinin, dhe e ka detyruar atë që të zaptojë Krimenë në pranverë dhe të sulmojë Ukrainën Lindore. “Instinkti i vetëmbrojtjes është aktivizuar menjëherë te ai. Formula për mbrojtjen e cilësdo diktaturë është universale: krijoje një armik, nise një luftë. Gjendja e luftës është eliksir i regjimit”, ka thënë shkrimtari i mirënjohur.

Shishkin sugjeron se nën udhëheqjen e Putinit – i cili kishte mohuar se kishte trupa ruse në gadishullin ukrainas të Krimesë, para se të pranonte më vonë duke u zgërdhirë se në fakt atje kishte ushtarakë rusë – Rusia “është kthyer në kohët sovjetike të gënjeshtrave totale”. Novelisti thotë se rusët ordinarë janë bashkëfajtorë në këtë sistem rrenash, teksa instinkti i mbijetesës, me të cilin qytetarët sovjetikë “kanë jetuar për shumë dekada rresht”, tani është kthyer fuqishëm.

“Kur Putin thotë rrena ashiqare para politikanëve perëndimorë, ai më pas shikon reagimin e tyre me interes të madh dhe jo pa kënaqësi, duke shijuar hutinë dhe pazotësinë e tyre. Ai dëshiron që Kievi t’i gjunjëzohet përsëri. Ai është i sigurt se Evropa do të vlojë nga zemërimi, por në fund do të qetësohet, duke braktisur Ukrainën para përdhunimit vëllazëror”, vlerëson novelisti Shishkin.